Mbas publikimit të lajmit se autoritetet greke kanë ndaluar hyrjen e autobusëve të linjave shqiptare në Kakavijë, ka reaguar edhe ambasada jonë në Athinë, e cila ka realizuar një takim nga afër me zv-ministrin e Transportit të Greqisë dhe është bërë e mundur hapja e kufirit për kompanitë shqiptare të udhëtimit.

Ministria greke e Transportit ka deklaruar se ka qenë një gabim njerëzor i bërë prej nëpunësve të kësaj Ministrie që ka sjellë problemin, duke premtuar se do të bëhet çdo gjë e mundur që situata të ngjashme mos të përsëriten më.

Në çdo rast, Ministria greke e Transportit, theksoi se lëvizja e autobusëve do të bëhet me 85% të kapacitetit të tyre dhe duke zbatuar rreptësisht protokollet anti-covid.