Boluspor në Turqi pritet të jetë skuadra e re e Dejvi Bregut pas eksperiencës në Ligën e Kampioneve me Teutën. “Këpuca e Artë” e sezonit 2020-2021 në Kategorinë Superiore ka marrë një ofertë joshëse nga klubi i Ligës së Parë turke dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i këtij transferimi.
Gjatë ditëve të fundit ylli i Teutës ka biseduar edhe me drejtuesit e klubit durrsak, ndërsa kontrata e tij skadon pas përfundimit të angazhimit në Europë.
Burime të sigurta pranë vlonjatit, tregojnë se marrëveshja me Bolusporin është arritur në parim dhe mbeten vetëm detaje të vogla nga firmosja e kontratës. Te skuadra turke fantazisti që shënoi 16 gola në kampionatin e fundit, do të gjejë portierin e Kombëtares, Gentjan Selmani.
Më parë te Boluspori kanë luajtur Gilman Lika dhe kapiteni aktual i Teutës, Renato Arapi. Ndërkohë, në kampin durrsak nuk kanë hequr ende dorë nga mundësia e afrimit të Sherif Kallakut, të paktën në formë huazimi për dy ndeshjet e Ligës së Kampioneve ndaj Sherifit.
Megjithatë, jo çdo gjë varet nga dëshira e Teutës dhe vetë lojtarit, pasi fjalën e fundit do ta thotë Lokomotiva e Zagrebit, ku Kallaku është nën kontratë.
Në ditët e ardhshme pritet të kemi një përgjigje përfundimtare nga kroatët, nëse do të miratojnë ose jo huazimin e mesfushorit të Kombëtares. Teuta pret të përforcohet gjithashtu edhe me një qendërsulmues, por pista për Bekim Balajn është mbyllur, pasi shkodrani mësohet se ka rënë dakord me një klub jashtë Shqipërisë.





