Në kuadër të javës Çame, disa të rinj në Maqedoninë e Veriut u janë drejtuar ambasadës greke me një letër ku i kanë kërkuar që shqiptarët nga Çamëria të rikthehen për të vizituar shtëpitë dhe varret e të parëve.
“Prandaj ne jemi sot këtu që t’i kërkojmë Greqisë që shqiptarët nga Çamëria të rikthehen për të vizituar shtëpitë dhe varret e të parëve. Ashtu siç ua lejoi maqedonasve të Greqisë, që janë përzënë gjatë luftës civile 1947-1949 për t’i vizituar shtëpitë dhe varret e të parëve, Greqia njësoj duhet t’i lejojë edhe çamët për ta bërë këtë”.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Shkup me rastin e 77-vjetorit të gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë ditën e djeshme, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi deklaroi se shqiptarët e Çamërisë nuk do të lodhen në betejën e tyre.
“Nëse dikush pret që shqiptarët e Çamërisë të lodhen në betejën e tyre unë po ju them që ne do të lodhemi të fundit. Sot jam i bindur edhe me praninë tuaj dhe faktin që një ditë e javës çame në Shkup i kushtohet Çamërisë na shton akoma më shumë besimin që ne nuk jemi të vetëm edhe nga pikëpamja njerëzore si shqiptarë, kudo ku frymohet shqip”, u shpreh Idrizi.
“Java Çame” në Shkup u prezantua gjithashtu edhe me një ekspozitë për Çamërinë me figura historike dhe vendbanime tek platoja përballë Kalasë së Shkupit. Gjithashtu të rinjtë prezantuan edhe folklorin e pasur të krahinës së Çamërisë duke kërcyer disa prej valleve të famshme të kësaj treve.





