Mesditën e sotme sirenat e anijeve dhe trageteve në portin e Durrësit kumbuan për një minutë për Ditën Ndërkombëtare të Detarëve.
Kjo datë e cila është përfshirë në listën vjetore të Kombeve të Bashkuara, është caktuar për të njohur kontributin e paçmuar që detarët japin në tregtinë ndërkombëtare dhe ekonominë botërore, shpesh me kosto të mëdha personale për veten dhe familjet e tyre.
Vlen të kujtojmë këtu se gjatë muajve të vështirë të karantinës botërore, detarët ishin ndër punonjësit e sektorëve që nuk e ndërprenë për asnjë moment punën.
Gjithashtu edhe porti i Durrësit nuk e ka ndalur punën gjatë muajve pandemikë të vitit 2020-2021 duke garantuar eksport-importin e mallrave, ushqimeve e medikamenteve për popullatën.
Pavarësisht se kanë qenë punëtorë kyç në operacionet detare, deri më tani asnjë nismë nuk është ndërmarrë për vaksinimin e kësaj kategorie.
Në Shqipëri figurojnë të regjistruar 1600 detarë, nga të cilët rreth 1000 janë aktualisht në punë në bordet e anijeve dhe trageteve. Në një kohë që qeveria dhe ministria e Shëndetësisë ndërmorrën fushata vaksinimi për operatorët turistikë, farmacistët, mësuesit dhe pedagogët, për detarët nuk është kujtuar askush deri më tani.
Megjithëse rrezikuan jetën e tyre duke lëvizur nëpër portet e Evropës dhe botës mbeten një ndër kategoritë më të harruara nga institucionet shtetërore dhe administrata detare.
Kur u festua për herë të parë Dita e Detarit
Dita e Detarit u festua për herë të parë në 2011, pas miratimit të saj nga një rezolutë e miratuar nga Konferenca e Palëve në Konventën Ndërkombëtare mbi Standardet e Trajnimit, Certifikimit dhe Mbajtjes së Rojës për Detarët (STCW), 1978, mbajtur në Manila, Filipine, në Qershor 2010, i cili miratoi ndryshimet kryesore të Konventës dhe Kodit STCW.





