Pjesëmarrja e shqiptarëve në krimin e organizuar në Gjermani ka marrë përmasa të reja, duke u theksuar në raportin më të fundit të Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA) për vitin 2023. Ky raport, i prezantuar të enjten në Berlin, vë në dukje një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve shqiptarë të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale.

Sipas të dhënave, numri i shtetasve shqiptarë të dyshuar për krime të organizuara është rritur në 285, nga 254 që ishte në vitin 2022. Përveç shqiptarëve nga Shqipëria, rreth 100 të dyshuar vijnë nga Kosova. Bie në sy se 40% e shqiptarëve të përfshirë në këto aktivitete kriminale janë persona që kanë kërkuar azil në Gjermani dhe kanë përfituar nga sistemi social. Në këtë grup, shqiptarët zënë vendin e dytë, pas shtetasve sirianë.

Më brutalë, më të sofistikuar

Raporti i BKA-së tregon se grupet kriminale shqiptare janë të përfshira gjithnjë e më shumë në tregtinë dhe trafikimin e drogës. Aktiviteti kryesor i këtyre grupeve është trafiku i kokainës dhe produktet e kanabisit. Sipas raportit, në vitin 2023 u zhvilluan 23 procese hetimore për shqiptarët për trafik kokaine dhe 15 për kontrabandë me produkte kanabisi.

Një aspekt tjetër i kriminalitetit të shqiptarëve që del në pah nga ky raport është rritja e dhunës dhe e përdorimit të armëve të zjarrit. Grupet gjithashtu kanë filluar të përdorin teknologji moderne për të anashkaluar autoritetet, përmes komunikimeve të koduara dhe përdorimit të teknologjive të reja, duke e bërë më të vështirë ndjekjen e tyre. Në raport, shqiptarët renditen të dytët pas gjermanëve sa i përket përdorimit të teknologjive të tilla, duke kaluar grupe të tjera si ato turke, serbe dhe italiane.

Trafiku i lëndëve narkotike në qendër të punës së BKA-së

Krimi i organizuar i lidhur me drogën mbetet një prej shqetësimeve kryesore të autoriteteve gjermane. Rreth 40% e proceseve hetimore të krimit të organizuar për vitin 2023 kanë pasur të bënin me tregtinë e paligjshme të lëndëve narkotike, tha Holger Münch, drejtori i BKA-së.

Ministrja gjermane e punëve të brendshme, Nancy Faeser, lavdëroi punën e autoriteteve në zbulimin dhe goditjen e grupeve të krimit të organizuar, duke nënvizuar se rritja e numrit të rasteve të zbuluara tregon për suksesin e organeve hetimore. Faeser theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në nivel ndërkombëtar, duke marrë si shembull pozitiv edhe krijimin së fundmi të një aleance të re të porteve..

Si Davidi kundër Goliathit

Raporti i BKA-së për 2023 tregon një nivel të lartë të vazhdueshëm të krimit të organizuar në Gjermani, me një numër gjithnjë e më të madh hetimesh dhe të dyshuarish, si dhe dëme ekonomike në rritje të shkaktuara nga këto aktivitete kriminale.

Përfaqësuesit e sindikatave të policisë gjermane ankohen se lufta mes organeve policore dhe krimit të organizuar nuk është në të njëjtin nivel. Sipas tyre, organet policore gjermane dhe Europol-it u mungojnë kompetenca të rëndësishme për të luftuar krimin e organizuar në mënyrë efektive. Për shembull, për të kryer hetime në shtete të tjera, kërkohet leja e autoriteteve të atyre vendeve, çka paraqet një problem të madh në vende ku niveli i korrupsionit është i lartë.

Zëvendëskryetari i Sindikatës së Policisë, Alexander Poitz, theksoi se duhet intensifikuar bashkëpunimi ndërkombëtar policor për të përballuar kërcënimin në rritje të grupeve kriminale, sidomos në fusha si trafikimi i drogës dhe krimi kibernetik. “Krimi i organizuar po bëhet gjithnjë e më brutal, dhe përplasjet midis grupeve kriminale po përfshijnë gjithnjë e më shumë armë zjarri dhe eksplozivë, duke u kthyer në një kërcënim të drejtpërdrejtë edhe për personat e pafajshëm”, tha Poitz./DW