Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka njoftuar se Sokol Bizhga do të jetë drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit, pas largimi nga posti të Muhamet Rrumbullaku, i cili komunikoi dorëheqjen mbrëmjen e djeshme (5 Shtator).

“Në bazë të këtij ligji kam nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga”, tha ai.

Ministri Hoxha u shpreh se tashmë është radha për të kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, duke shtuar se “nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian”.

“Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Ai theksoi se drejtuesit e rinj do të zgjidhen në javët në vijim “me të njëjtën frymë dhe kredenciale, të njëjta të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë”.

“Asgjë nuk do të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së tyre, veç meritës e integritetit”, theksoi ministri Hoxha.

Ndërsa i bëri ftesë publike të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm.

“Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature”, deklaroi ai.

Fjala e plotë:

Të nderuar përfaqësues të lartë dhe punonjës të Policisë së Shtetit,

Ju drejtohem publikisht pas marrjes së kësaj detyre të lartë 30 ditë më parë dhe një pune intensive, së bashku me ekipin drejtues të Ministrisë së Brendshme, për të piketuar segmentin e ri të rrugës sonë drejt Shqipërisë 2030.

Unë vij nga radhët tuaja, ku pas studimeve të larta në Turqi dhe Gjermani, kam hyrë që në moshë fare të re dhe kam pasur mundësinë të punoj e të mësoj nga më të mirët e trupës suaj.

E kam ndjekur rritjen e kësaj trupe, vështirësitë dhe sfidat e saj, nga brenda, në pozicione të ndryshme, dhe më pas nga jashtë, si një dashamirës besnik që kam pasur gjithnjë mes jush një pjesë të zemrës dhe të mendjes time.

Në harkun e 22 viteve, qëkur unë vetë vesha për herë të parë me emocion të paharrueshëm uniformën e rëndë të mbrojtësit të rendit e të sigurisë publike, e kam parë këtë trupë në ditë shumë të këqija dhe në ditë shumë më të mira se ato të fillimeve të mia.

Besoj se jam një dëshmitar mjaftueshëm objektiv për të thënë sot se, përparimi i dekadës së fundit është i jashtëzakonshëm, po të merret parasysh pika kritike ku ishte katandisur Policia e Shtetit dhe ndjenja dëshpëruese e braktisjes që përjetohej në radhët tona deri përpara 10 viteve.

Të papaguar, të paushqyer, të paveshur, të pambështetur me mjete dhe fuqi motorike dhe më e keqja fare, të tradhtuar në orët më kritike të operacioneve me rrezik jete, punonjësit e kësaj trupe bënin sa mundnin, po nuk bënin dot kurrsesi sa mundeshin.

Ishte koha kur rënia në krye të detyrës e drejtuesve dhe punonjësve të Policisë bënte pjesë në të përditshmen tonë dhe kur mesatarja e vrasjeve në Shqipëri, gjatë një viti, ishte mbi 100 persona, ose një i vrarë në tre ditë.

Nuk jam këtu për të bërë historinë e viteve të shkuara dhe as për të ulur peshën e asnjë ngjarjeje të rëndë që ndodh në ditët tona, kur shifrat e vrasjeve dhe të kriminalitetit në tërësi janë si dita me natën.

Referimi tek pikënisja e transformimit historik të Policisë së Shtetit në dekadën e fundit, nuk na duhet për të kërkuar lëvdata, por është i nevojshëm për të kuptuar se asnjë objektiv, sado ambicioz, nuk është i pamundur për ne.

Ambicia jonë për Policinë e Shtetit 2030, si një trupë e denjë e Bashkimit Europian është një ambicie e mbështetur në potencialin konkret që kemi për ta ngritur Policinë në një nivel të ri, duke konsoliduar më tej tendencën në rënie të kriminalitetit dhe rritur më shpejt cilësinë e shërbimit policor në çdo aspekt.

Dua të përgëzoj sinqerisht punën e deritanishme të drejtuesve të Policisë së Shtetit, me në krye dikur eprorin dhe sot mikun tim, Drejtorin e Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku. Mirënjohje për të dhe për të gjithë ata që e sollën stafetën deri këtu me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj uniformës, duke e thelluar më tej transformimin e Policisë së Shtetit.

Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.

Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030.

Unë u thirra në këtë detyrë nga Kryeministri Rama pa e menduar ndonjëherë se mund të isha një ditë Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë.

Vënia e dorës mbi Kushtetutë kur bëra betimin përpara Presidentit Begaj ishte momenti më emocionues i jetës time profesionale.

Votimi i emrit tim në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë këtë detyrë kaq të lartë ishte nderi më i madh që mund të më bëhej si qytetar i kësaj Republike dhe shpërblimi i gjithë këtij betimi është borxhi më i madh ku mund të futesha në jetën time si një njeri i këtij vendi.

As nuk e dyshoj se plot të tjerë mund të kishin kredenciale më të forta për të qenë në vendin tim, që nga ato politike dhe deri tek kredencialet e lidhjeve miqësore. Ky fakt ma bën edhe më të rëndë peshën e përgjegjësisë për ta merituar vlerësimin që mu bë, duke ma besuar këtë detyrë.

Uroj që kështu ta shohin promovimin në karrierë edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm dhe drejtuesit e rinj të qarqeve e të strukturave kyçe të Policisë së Shtetit, në këtë kohë historike të Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ata do të zgjidhen në javët në vijim me të njëjtën frymë dhe kredenciale, të njëjta të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë.

Asgjë nuk do të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së tyre, veç meritës e integritetit.

Ligji i ri i sapomiratuar i Policisë së Shtetit, merita kryesore për përmbajtjen shumë të mirë që i takon paraardhësit tim të nderuar Taulant Balla dhe drejtuesve aktual të Policisë së Shtetit, është një platformë e shkëlqyer për reformimin dhe modernizimin e mëtejshëm të trupës sonë policore.

Në bazë të këtij ligji kam nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga.

I ftoj të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature.