Avni Koka ka mbi 50 vite që merret me bletari. Fillimisht e nisi me një koshere bletësh dhe me kalimin e kohës i shumëfishoi ato.

Për 15 vite ai ka punuar në bletarinë e Durrësit ndërsa në ’91-shin kaloi në privat dhe filloi ta kultivonte në banesën e tij në Manzë.

Dikur kishte 120 koshere, ndërsa aktualisht ka vetëm 40 të tilla, të cilat prodhojnë një deri në dy kuintal mjaltë. Sipas Kokës të mbash bletë sot, nuk është e lehtë për shkak edhe të sëmundjeve që e prekin dhe i shkaktojnë vdekjen.

“Ndoshta bletat do kthehet në kohën e vet. Se me thënë të drejtën bleta ka qenë me pas qejf me punu me të. Kishte mjaltin, e hiqje me hoje, pa hoje por dita ka ardhur shumë e vështirë për bletën”, thotë ai.

Duke u ndalur te vështirësitë, Koka përmend thatësirën e kullotave me të cilat ushqehet bleta, ndërsa kujton kohën kur mbilleshin lule të ndryshme dhe ky insekt kishte variacione dhe mjalti cilësi më të mirë.

Për mirëmbajtjen e bletëve, Kokës i vjen në ndihmë edhe e shoqja dhe e bija, ndonëse thotë se pjesën më të madhe të punës e bën vetë.

Ai tregton në shtëpi mjaltë akacie, tërthojë dhe mjalt të përgjithshëm që e vjel tani në fund të korrikut, të cilin klientët duhet ta porosisin përmes telefonit me njohje pasi siç bletari Koka shprehet, mjalti i tij është i dëgjuar në zonë dhe është i shitur që në prodhim.

G.D.