Partia Demokratike akuzon qeverinë se po hesht në rastin e skandalit me mbetjet toksike, të cilat u nisën nga Shqipëria drejt Tajlandës.
Në një deklaratë për mediat, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Fjoralba Dizdari thotë se këto mbetje pritet që të rikthehen sërish në Durrës.
Sipas Dizdarit, depozitimi i këtyre materialeve në portin e Durrësit, rrezikon jeten dhe shendetitin e qytetarëve dhe cënon turizmin e qytetit.
“Por, kjo çështje është vetëm maja e Ajzbergut, pasi, sipas ekspertëve Shqipëria prodhon edhe 20 mijë Ton të tjera mbetje të rrezikshme. Nga të cilat vetëm 15 mijë Ton janë mbetje të prodhuara nga demontimi i pajisjeve elektrike dhe elektronike, dhe rreth 2 500 Ton të tjera, vajra industrial të përdorur, pa përmendur 1000 Ton mbetje organike”, thuhet ne deklaraten e Dizdarit.
Partia Demokratike- thotë ajo- ngre alarmin, se situata e mbetjeve është një emergjencë kombëtare, prandaj ftojmë qytetarët të bashkohen kundra qeverisjes së dështuar dhe korruptuar të Edi Ramës dhe të ndalim katastrofën mjedisore në emër të brezave të ardhshëm.
Deklarata
Pas denoncimit të 800 Ton mbetje të rrezikshme me destinacion Azinë Juglindore, kjo ngarkesë aktualisht po rikthehet në portin e Durrësit, si vendi i origjinës. Qeveria Shqiptare akoma nuk ka bërë transparente për publikun, planin e masave për sistemimin e kësaj situate emergjente.
Depozitimi i këtyre materialeve në portin e Durrësit, rrezikon jeten dhe shendetitin e qytetarëve dhe cënon turizmin e qytetit.
Kompania KURUM nga viti 2022, ka prodhuar mbi 10 mijë Ton mbetje të rrezikshme?
Ku ka përfunduar kjo sasi lëndësh? Kush mund të na thotë se, sa Ton mbetje të rrezikshme ka eksportuar Shqipëria vitet e fundit? Çfarë bën Drejtoria e “Hetimit Doganor” që akoma nuk kanë nisur hetim administrativ për këtë krim të rëndë?
Pse hesht Qeveria Shqiptare dhe, akoma nuk ka sqaruar opinionin publik, se si ka mundësi, që Kompania “Sokolaj” shpk, transporton me qindra Ton lëndë të rrezikshme, pa licencën përkatëse të Ministrisë së Mjedisit dhe të pa shoqëruar me fletë analizash?
Për më tepër Sokolaj shpk. deklaron se e ka blerë Oksidin e Zinkut me 50 Euro për Ton? Ndërkohë që në burse, Oksidi i Zinkut blihet me 1500 Euro për Ton dhe, ai i Hekurit 500 Euro për Ton? Administrata tatimore çfarë po bën për këtë evazion fiskal?
Por, kjo çështje është vetëm maja e Ajzbergut, pasi, sipas ekspertëve Shqipëria prodhon edhe 20 mijë Ton të tjera mbetje të rrezikshme. Nga të cilat vetëm 15 mijë Ton janë mbetje të prodhuara nga demontimi i pajisjeve elektrike dhe elektronike, dhe rreth 2 500 Ton të tjera, vajra industrial të përdorur, pa përmendur 1000 Ton mbetje organike.
Ndërkohë çfarë ka bërë Partia Socialiste që ende pas 11 vitesh nuk kemi asnjë lloj strategjie për marrjen e masave të menjëhershme për trajtimin e këtyre mbetjeve?
Për më tepër, që prej vitit 2015 e vetmja qendër për grumbullimin dhe trajtimin e kimikateve të rrezikshme ndodhet në fshatin “Balëz e Poshtme”, në qytetin e Elbasanit.
A janë marrë të gjitha masat që te sigurohet jeta dhe shëndeti i banorëve të zonave përreth?
Kjo qendër është në kundërshtim me standardet e BE-së, ndërkohë që ne ngremë alarmin se ajo mund të kthehet në një bombë ekologjike me pasoja të rënda, jo vetëm për zonën.
Referuar aktit të “Politikave Strategjike dhe Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, 2020 – 2035”, botuar në Fletoren Zyrtare, më 27 maj 2020, qeveria shqiptare pranon zyrtarisht dështimin. Ja çfarë thotë dokumenti:
“… Për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri nuk ekziston infrastruktura bazë. Për më tepër nuk ekzistojnë të dhëna mbi sasinë dhe rrymat e mbetjeve. Vendet për ndërtimin e objekteve për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme apo të qendrave pritëse nuk janë përcaktuar ende në asnjë rajon apo qytet të vendit …..”
Kjo është një aferë korruptive, e cila përfshin shume Institucione njëherazi.
Partia Demokratike ngre alarmin, se situata e mbetjeve është një emergjencë kombëtare, prandaj ftojmë qytetarët të bashkohen kundra qeverisjes së dështuar dhe korruptuar të Edi Ramës dhe të ndalim katastrofën mjedisore në emër të brezave të ardhshëm.