Në Shqipëri, ish kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u njoh sot me akuzën për korrupsion, të ngritur ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme, për rastin e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani në Tiranë. Në arrest shtëpie që prej muajit dhjetor, ai u paraqit sot pranë prokurorëve ndërsa jashtë godinës deputetë demokratë dhe simpatizantë të opozitës, ishin mbledhur në shenjë solidariteti me të. Zoti Berisha e konsideron veten të burgosur politik. Ai përsëriti dhe sot akuzat ndaj Prokurorisë së Posaçme e cila po vepron sipas tij, në bazë të urdhërave politik të kryeministrit Rama dhe se ndaj tij nuk ka asnjë provë apo fakt.

Sot ishte hera e dytë, prej muajit janar, që zoti Berisha doli nga apartamenti i tij, ku ai ndodhet në “arrest shtëpie”, pasi refuzoi të zbatonte masën e sigurisë detyrim paraqitje të vendosur nga gjykata në tetor të vitit të kaluar. Deputetë dhe mbështetës të opozitës e pritën atë me brohoritje të shumta kur makina e tij iu afrua godinës së Prokurorisë së Posaçme ku ishte thirrur nga prokurorët që po hetojnë rastin e privatizimit të ish Klubit sportiv Partizani, në kohën kur ai ishte kryeministër, pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2005.

Ndonëse u paraqit në mesditë, në orarin e caktuar nga prokurorët, zoti Berisha shpenzoi afro 20 minuta në hyrje të godinës, pasi lexoi një deklaratë të gjatë dhe iu përgjigj pyetjeve te gazetarëve, duke bërë të ditur se “sot unë po shkoj të marrë akuzën politike dhe të njihem me materialet që kanë manipuluar ose fshehur në kundërshtim me ligjin për të justifikuar aktin e tyre kriminal akuzën pa asnjë prove fakt apo dokument, por vetëm të diktuar nga Edi Rama”.

Zoti Berisha qëndroi me prokurorët pak më shumë se 20 minuta. Në dalje ai deklaroi se prokurorët i kishin njoftuar ndryshimin e statusit në raport me drejtësinë: “Sot jam zyrtarisht i pandehur. Për ato akuza që kam pasur, asgjë tjetër. Asgjë tjetër përveç 500 faqe me mashtrime, mashtrime, mashtrime”.

Ai përsëriti se ndaj tij nuk ka asnjë provë, e po ashtu dhe akuzat e rënda ndaj Prokurorisë të cilën, siç ka bërë dhe më herët, e cilësoi një organizatë kriminale, ndërsa renditi një sërë rastesh korruptive sipas tij, ku janë përfshirë që nga kryeministri Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, por që siç tha ai, nuk hetohen.

Daljen nga Prokuroria e Posaçme, zoti Berisha e shfrytëzoi dhe për të përshendetur simpatizantët e për të dhënë dhe mesazhe politike.

Në hetimin e procedurave të privatizimit të ish kompleksit Partizani zoti Berisha ka qenë i dyshuar për korrupsion, ndërsa prej sot, kjo është akuza zyrtare ndaj tij. Sipas Prokurorisë ai ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, u ngrit një kompleks pallatesh. Ndaj zotit Malltezi, i cili u paraqit më vonë në Prokurori, u ngritën akuzat, ato për të cilat ai ishte deri më tani një i dyshuar: “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, të kryer në bashkëpunim me ish kryeministrin si dhe “pastrim parash”. Edhe ai, foli po ashtu për një dosje pa prova e dokumenta./ VOA