Për herë të parë në historinë e tij, UAMD dhe Fakulteti i Biznesit zhvilluan ditën e sotme “Panairin e Punës dhe Karrierës”, një mundësi për të krijuar ura lidhëse mes studentëve, institucioneve shtetërore dhe sipërmarrjen private për zhvillimin e praktikave profesionale dhe punësimin e të rinjve.

Në fjalën e hapjes, dekani i Fakultetit të Biznesit, Shkëlqim Fortuzi vuri theksin në qëllimin e këtij aktiviteti që përveç praktikave profesionale dhe punësimit të të rinjve, synon edhe përshtatjen dhe përmirësimin e kurrikulave studimore në përputhje me tregun e punës. 

Rektorja e UAMD-së, Kseanela Sotirofski premtoi se ky panair do të rikthehet në një traditë të përvitshme. Ajo u bëri thirrje studentëve që ta shfrytëzonin sa më shumë panairin për të krijuar lidhjet e domosdoshme me institucionet dhe bizneset private, me qëllim finalizimin e kontratave të punës dhe realizimin e praktikave pranë bizneseve të Durrësit dhe jo vetëm. 

E pranishme në panair ishte edhe Ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi, e cila nënvizoi gjatë fjalës së saj se Durrësi pritet të marrë në këto vite një zhvillim të rëndësishëm dhe ky panair u shërben studentëve për t’u njohur më nga afër me kriteret që duhet të plotësojnë për punësimin e tyre në të ardhmen dhe njëkohësisht për të lehtësuar integrimin e tyre në tregun e punës.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi, ndërsa u tregoi studentëve eksperiencën e tj në emigracion, kur vite më parë ishte i ri si vetë ata, nënvizoi se ky panair është mjaft i rëndësishëm edhe për sipërmarrjen private për të plotësuar nevojat e saj me staf profesional. 

Më pas, panairi vazhdoi me vizitat e studentëve nëpër stendat e rreth 150 bizneseve që shprehën interes për intervistimin e të rinjve, dhënien e informacionit të nevojshëm për aktivitetin e tyre si dhe pozicionin e punës apo praktikën profesionale që ofronin.

Paralelisht me panairin u zhvillua edhe Forumi i Parë Kombëtar mbi Punësimin Rinor do të adresojë sfidat kryesore për aftësimin e të rinjve dhe bashkëpunimin ndërmjet aktorëve, publikë dhe private, për të krijuar partneritete efektive për të rritur punësimin e të rinjve në Shqipëri.

M.B.