Një zjarr i rënë pasditen e sotme në zonën kodrinore të Shkëmbit të Kavajës ka përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre mesdhetare.

Ndërhyrja e zjarrfikësve në këtë zonë të vështorë për t’u menaxhuar ka bërë të mundur shuarjen e flakëve në pjesën e sipërme të kodrës, ndërkohë që dëshmitarë në vendngjarje bëjnë të ditur se flakët vijojnë ende në pjesën e poshtme të kodrës, por vatra po dobësohet.

Temperaturat e nxehta të kësaj jave, sidomos të ditës së sotme që parashikohej të arrinin deri në 40 gradë Celsius, shtojnë rrezikun e rënies së zjarreve.

Një ditë më parë, Shërbimi Meteologjik Ushtarak e klasifikonte qarkun e Durrësit me rrezik të moderuar për rënien e zjarrit gjatë kësaj jave që konsiderohet deri më tani më e nxehta e kësaj vere. Vetëm nga fundjava i nxehti afrikan do të nisë të largohet nga vendi ynë.