Policia holandeze ka arrestuar dy shqiptarë dhe një holandez. Ky i fundit për momentin është liruar, por mbetet nën mbikëqyrje.
Ata përdornin një kompani të njohur lulesh për të maskuar dërgimin e sasive të kokainës drejt Anglisë. Kompania ishte e vendosur pranë panairit më të madh të luleve në botë.
Dy shoferë anglezë ngritën të parët alarmin kur vunë re se lulet në kamionin e tyre nuk ishin paketuar siç duhet.
Shqiptarët përdornin në këtë mënyrë shoferë të pafajshëm. Një metodë cinike, pasi nëse zbuloheshin, do të përfundonin në burg për vite të tëra. Pasi shoferi i parë bëri raportimin në polici, mes luleve u zbuluan plot 20 kg kokainë.
Pak muaj më vonë, një shofer i dytë nga një tjetër kompani transporti, bëri të njëjtin denoncim. Sërish mes luleve u zbuluan 20 kg kokainë.
Detektivët deshifruan mesazhet që dërgonin trafikantët në rrjetin e koduar Sky EÇ. Aty u zbuluan mbi 50 mijë mesazhe. Shqiptarët përdornin pseudonime fikse, të një lojtari futbolli, të një krimineli droge dhe të një logoje. Termi “tullë” në shqip përdorej për blloqet e kokainës.
Përmes mesazheve, policia ra në gjurmët e trafikantëve, duke zbuluar vendin ku takoheshin në panairin e luleve. Megjithatë aty binin në sy sepse ishin amatorë dhe përdornin kryesisht para të thata.
Ata pritet të dalin përpara gjykatës, ndërkohë që tregu i luleve është përdorur edhe në të shkuarën për të maskuar trafikun e kokainës.





