Maria Ponomarenko, një gazetare nga Siberia që vuan dënimin me gjashtë vjet burg pasi ka folur kundër luftës në Ukrainë, ka shpallur grevë urie. 46-vjeçarja u arrestua më pak se dy muaj pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, pasi akuzoi forcat ajrore ruse për bombardimin e një teatri në qytetin ukrainas të Mariupol. Ajo u shpall fajtore shkurtin e kaluar për përhapjen e informacionit të rremë për ushtrinë ruse,nga një gjykatë në qytetin e saj të lindjes Barnaul në Siberinë perëndimore.

Më shumë se 20,000 njerëz janë arrestuar në të gjithë Rusinë pasi kanë folur kundër luftës. Ndërsa shumica e të ndaluarve gjobiten dhe lirohen shpejt, gazetarët e pavarur shpesh trajtohen më ashpër nga gjykatat. Duke përfshirë Ponomarenko, gjithsej katër gazetarë për RusNews, një medium online që boton vetëm në rusisht dhe ka pak audiencë jashtë vendit, janë pas hekurave.

Shumica dërrmuese e mediave të pavarura tani veprojnë nga mërgimi. Ponomarenko përballet me akuza të reja penale për sulmin e dyshuar të rojeve në burgun ku ajo është e burgosur. Yulia Galyamina, një ish-këshilltare e qytetit të Moskës, tha se Ponomarenko ishte vendosur në një qeli izolimi pasi zyrtarët e burgut kishin falsifikuar raportet e inspektimit kundër saj.  Ponomarenko tha në një seancë dëgjimore muajin e kaluar se ajo do të priste venat e saj në shenjë proteste për shkak të kushteve të paraburgimit.