Banorët e rrugës “Galileo Galilei” në lagjen nr.17 në Durrës e kanë thuajse të pamundur të dalin nga shtëpitë e tyre, për shkak të kanalit që përshkon mes për mes lagjen.
Duket pak e çuditshme por emri i astronomit të famshëm italian, i njohur dhe si babai i fizikës moderne, është vendosur në një rrugë banorët e të cilës jetojnë çdo ditë me frikën e infeksioneve dhe sëmundjeve.

Situata mjedisore në këtë zonë është në prag katastrofe. Siç duket nga planet që “DurrësLajm” filmoi paraditen e sotme, ujërat e zeza të bashkuara me mbeturinat urbane, orenditë shtëpiake, gomat e makinave etj e kanë kthyer këtë kanal në një hot spot (pikë të nxehtë) të rrezikshëm mjedisor.

Era e rëndë të shpon hundët dhe nuk mund të rrish më shumë sesa disa sekonda aty. 

E vetmja kërkesë e banorëve është pastrimi dhe rregullimi i kanalit, një premtim i përsëritur në çdo fushatë zgjedhore, por asnjëherë i mbajtur.

“Ky kanal ka vite të tëra, nuk vendos dorë njeri, vjen bashkia për zgjedhje, thonë do ta bëjmë, nuk e bëjnë fare. Këtu nuk rrihet nuk jetohet, mushkonjat, ujërat e zeza, të tëra komplet, këtu të mbyt por që ta provoni duhet të vinin në mëngjes ose në darkë”,- shprehet një nga banorët.

“Vetëm për fëmijët të vejë dorë, qeveria. Asgjë tjetër nuk duam ne, punë nuk po i kërkojmë, ja tubat si na i kanë lënë, vetë po përpiqemi. Vetëm kanalin duam të na mbulojnë, asgjë tjetër”,- shprehet një tjetër banore.

Banorët presin nga pushteti vendor ndërhyrje emergjente, pasi në stinën e verës situata bëhet e padurueshme.