Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp nga Brukseli, foli në lidhje me procesin e integrimit në BE, ku tha se kanë dy sfida. Njëra ka të bëjë me çfarë pritet prej Shqipërisë dhe tjetra se me çfarë mund të përballen në të ardhmen.

“Dmth, kur ti punon me KE dhe çdo gjë ndodh sipas rregullave është e parashikueshme, por kur shkon te KiE ka paparashikueshmëri. Sfida është sa do të bëhen bashkë këto dy gjëra në një moment të caktuar, në momentin kur të kemi bërë detyrat e shtëpisë. Ndonjëherë ti i ke bërë detyrat e tua, por kati lart s’është gati as të të presë. Le të shikojmë nëse yjet do të jenë të linjëzuara ashtu siç duhet që edhe kur të jemi në gati dhe kur të jenë ata gati, të jetë i njëjti moment”, tha Rama.

Ai shtoi se institucionet e BE-së janë zgjuar nga Presidenti Vladimir Putin dhe tha se shpreson që të mos i zërë sërish gjumi kur lufta në Ukrainë të mbarojë.

“Ka një ndryshim dramatik sa u takon kapaciteteve të BE-së për të dëgjuar, që kur Vladimir Putin i zgjoi institucionet e BE-së. Me vjen keq që i zgjoi ai dhe shpresoj mos t’i zërë përsëri kur lufta të mbarojë”.

Ndër të tjera, për procesin integrues kryeministri tha: “Nuk ka ndonjë gjë që ata që duhet të bëhen anëtarë të zgjedhin çfarë të bëjë. Quhet negocim, por janë detyra shtëpie. Duhet të bëjmë çfarë na kërkojnë. Por, e rëndësishme është ta bëjmë për veten tonë, jo për ta. Duke bërë çfarë kërkon procesi i anëtarësimit, është të bësh diçka të jashtëzakonshme për vendet tonë. Procesi është i fuqizimit të shtetit demokratik. Kushdo është i bekuar që është në Europë dhe nuk është i integruar në BE, ka këtë mjet. Kur flasim për demokraci institucionale, flasim për diçka shumë realiste sepse në e kemi BE-në”.