Mesfushori i Manchester City, Rodri do të humbasë pjesën e mbetur të sezonit, pasi testet të hënën në mëngjes treguan se ai pësoi një çarje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e tij të djathtë gjatë barazimit të së dielës me Arsenalin.
Burimi i tha ESPN se mesfushori spanjoll do të zhvillojë disa teste të tjera, por gjithçka tregon drejt një këputjeje të ligamentit.
Me shumë mundësi ai do t’i nënshtrohet një operacioni në Barcelonë.
Rodri u largua nga fusha në minutën e 21-të të përplasjes të së dielës, pasi u rrëzua duke shtrënguar gjurin.
City shënoi golin e barazimit në minutën e fundit me anë të John Stones për të siguruar një barazim 2-2 kundër Arsenalit në Etihad Stadium të dielën.
Rezultati i mban ata në krye të tabelës me 13 pikë pas pesë ndeshjeve të para.
28-vjeçari u votua Lojtari i Turneut në Euro 2024 pasi luajti një rol kyç në triumfin e Spanjës në kompeticion.
Ai është ndër favoritët për të fituar Topin e Artë dhe lëndimi i tij do të jetë një goditje e madhe për Cityn, i cili po ndjek titullin e tyre të pestë radhazi në Premier League.