Policia e Shkodrës ka arrestuar 56-vjeçar nga Durrësi, pasi akuzohet si autori i disa vjedhjeve.

Sipas policisë, 56-vjeçari Fatos Arifi dyshohet se kishte kryer disa vjedhje në zona të ndryshme të Shkodrës, duke marrë para nga automjete, kryesisht taksi, si dhe biçikleta.

Në kuadër të operacionit “Shëtitësi”, policia e kapi 56-vjeçarin në flagrancë në lagjen “Liria”, në momentin kur dyshohet se po tentonte të vidhte një tjetër biçikletë.

Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, policia dyshon se Arifi ka vjedhur një shumë parash në një automjet taksi dhe dy biçikleta, në zona të ndryshme të qytetit.

Njoftimi: 

Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shëtitësi”, për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë.

Vidhte lekë në automjete, kryesisht taksi, dhe biçikleta në zona të ndryshme të qytetit. Pas denoncimeve të qytetarëve dhe punës gjurmuese, kapet në flagrancë në tentativë për të vjedhur një tjetër biçikletë, 56-vjeçari nga Durrësi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas denoncimeve të marra nga qytetarët për vjedhje, organizuan punën hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shëtitësi”, u kap në flagrancë, në tentativë për të kryer një tjetër vjedhje, shtetasi:

– F. A., 56 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 56-vjeçari ka vjedhur një shumë parash në një automjet taksi dhe 2 biçikleta, në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës.

56-vjeçari u kap në flagrancë, në lagjen “Liria”, teksa tentonte të vidhte një tjetër biçikletë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.