Qytetarët e Podgoricës, Budvës dhe Kotorit në Malin e Zi po votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe mbyllen deri në orën 20:00.

Këto zgjedhje kanë rëndësi pasi popullsia në këto qytete përbën 1/3 e elektoratit me të drejtë vote në Malin e Zi. Pritet që asnjë parti apo koalicion të mund të formojë e vetme qeverinë.

Fushata elektorale në kryeqytet u karakterizua me akuza të ashpra nga bashkëpunëtorët e Presidentit Jakov Milatoviç, i cili u përfshi në mënyrë aktive në garën zgjedhore dhe kryeministrit Milojko Spajiç.

Analistët theksojnë se nuk bëhet fjalë vetëm për zgjedhjet lokale, por se zgjedhjet e Podgoricës do të ndikojnë edhe qëndrueshmërinë e qeverisë dhe të shumicës parlamentare në pushtet.

Në zgjedhje marrin pjesë ne koalicion Lëvizja për Podgoricën e cila drejtohet nga presidenti Jakov Milatoviç me Lëvizjen Qytetare URA të ish-kryeministrit Dritan Abazoviç. Presidenti Milatoviç ka deklaruar se ai nuk dëshiron të “kthejë kokën përballë praktikave të këqija” dhe “thjesht të bëjë fotografi me ambasadorët, të udhëtojë nëpër botë dhe të nënshkruajë ligje të çuditshme“.

Koalicioni i dytë u formua nga “Lëvizja Evropa Tani“ e kryeministrit Milojko Spajiç dhe Mali i Zi Demokratik parti pro serbe e Zëvendëskryeministrit Aleksa Beçiç. Kisha Ortodokse Serbe ka marrë pjesë aktive në fushatën zgjedhore në anën e kryeministrit Spajiç dhe partive që e mbështesin.