Kryeparlamentarja Elisa Spiropali në fjalën përshëndetëse në sesionin plenar të Dimensionit Parlamentar të Nismës së Europës Qendrore, CEI PD.

Spiropali: Europa Qendrore është një ndër zonat më të bukura të globit, me potenciale të mëdha zhvillimi e mirëqenieje, por edhe me ambicie të dukshme të popujve tanë për progres, bashkëpunim, mirëkuptim e paqe.

Rrallë gjendet një zonë tjetër e globit ku historia dhe perspektiva takohen si këtu te ne.

Një zonë që t’i ketë dhënë kaq shumë sakrifica, kontribute dhe ndriçim historisë botërore dhe njëkohësisht të jetë po kaq thelbësore edhe për zhvillimet e sotme dhe të ardhme.

Ne mblidhemi sot në Kuvendin e Shqipërisë, 35 vjet pas themelimit të kësaj nisme, e cila ka për qëllim bashkimin dhe mbështetjen reciproke të vende tona drejt vlerave të përbashkëta europiane.

Dëshiroj të nënvizoj jo pa krenari se 28 vjet pasi iu bashkua kësaj nisme, Shqipëria është sot një anëtare aktive dhe protagoniste e e spikatur për nxitjen e ndërveprimit mes anëtarëve të Nismës dhe mes nesh dhe organizatave të tjera rajonale, kontinentale e globale.

Me anëtarësinë aktive dhe presidencat e suksesshme, Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë kane dëshmuar vizion, përgjegjshmëri, partneritet dhe një prirje për të avancuar drejt përmbushjes së misionit, qëllimeve dhe vlerave themelore të Nismës, njëkohësisht vlera themelore të popujve, shoqërive dhe demokracive tona.

Nisma për Europën Qendrore është pjesë e kontributeve të vendeve, shoqërive dhe institucioneve tona për një botë më të mirë, për zhvillim, mirëqenie, progres, siguri e paqe.

Këto qëllime e vlera tonat, që dikur i mendonim si të mirëqena, tashmë po rezulton se nuk janë të tilla. Sidomos siguria e paqja.

Vitet e fundit Shqipëria ka qenë një protagoniste e rëndësishme e kontributeve për siguri e paqe.

Presidenca e OSBE 2020 si edhe anëtarësia në Këshillin e Sigurimit gjatë viteve 2022-2023, kanë dëshmuar lidershipin e vendit tonë për mbrojtjen e paqes dhe garantimin e sigurisë, luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, kundërshtimin e agresionit të Rusisë kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme dhe në rajonet e trazuara të botës etj.

Me zhvillimet e saj të brendshme, rritjen ekonomike të qëndrueshme, kontributin në zhvillimet dhe integrimet rajonale, partneritetin si anëtare e denjë e NATO-s, arritjet drejt anëtarësimit në BE dhe kontributet e përmendura më sipër, Shqipëria është bërë sot një vend që prodhon kohezion, siguri, paqe dhe miqësi mes kombeve e popujve.

Kuvendi i Shqipërisë ka qenë vendosmërisht i angazhuar për jetërsimin e prioriteteve të Presidencës shqiptare të Nismës.

Në çështjen e integrimit europian, Shqipëria ka hedhur hapa të vendosur drejt anëtarësimit dhe jemi në pritje të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, për miratimin e pozicionit negociues për Grupimin 1, Themelorët, dhe hapja e negociatave për këë Grupim.

Kemi nxitur gjithashtu bashkëpunimin rajonal, si një faktor themelor për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ne kemi mirëpritur vendimin e Këshillit Evropian për t’i dhënë statusin kandidat Bosnjë-Hercegovinës, Ukrainës dhe Moldavisë dhe regjimin e liberalizimit të vizave për Kosovën nga 1 janari 2024.

Megjithatë, vlerësojmë se mbështetja e vazhdueshme dhe bashkëpunimi proaktiv i shteteve anëtare të BE-së, sidomos i pjesëtarëve të Nismës së Evropës Qendrore mbetet vendimtare për përparimin tonë drejt rrugës së integrimit evropian.

Në fushën e turizmit dhe kulturës, përveçse shënimit të një zhvillimi të vrullshëm turistik të vendit dhe rritjes së jashtëzakonshme të numrit të turistëve, Presidenca shqiptare avancoi përpjekjet për të promovuar atraksionet kulturore-turistike të të gjithë rajonit, për ta kthyer këtë rajon në një destinacion kryesor turistik.

Ne synojmë të zhvillojmë një paketë gjithëpërfshirëse turizmi që shkon përtej turizmit klasik të vizitimit të zonave detare dhe malore apo zonave arkeologjike, duke shtuar turizmin gastronomik dhe atë mjekësor.

Promovimi i diversifikimit të turizmit për të gjitha vendet e rajonit mbetet objektivi ynë kryesor.

Presidenca shqiptare punoi dhe vijon të punojë që shëndeti të konsiderohet një e drejtë dhe jo privilegj për disa.

Ky është thelbi i filozofisë sonë për ndërtimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, e cila bazohet në parimet bazë të solidaritetit dhe reduktimit të pabarazive.

Presidenca shqiptare do të vijojë fokusohet në vlerësimin e sfidave shëndetësore si pjesë e politikave ndërsektorale në rajonin.

Duke forcuar Bashkëpunimin Rajonal për Shëndetin Publik nëpërmjet harmonizimit me Rregulloret/Strategjitë dhe Programet e Bashkimit Evropian të Shëndetësisë, vendet anëtare të Nismës po inkurajohen të ndajnë praktikat më të mira dhe të eksplorojnë sinergjitë dhe bashkëpunimin rajonal për shëndetin.

Presidenca shqiptarë ka punuar dhe do të vijojë të punojë për forcimin e bashkëpunimit parlamentar, krijimin dhe thellimin e partneritetit, mbështetur në parimet e demokracisë parlamentare dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Ne kemi nxitur e po nxisim rolin thelbësor të parlamenteve në demokraci, të fuqizojnë funksionet legjislative e mbikëqyrëse dhe të mundësojnë një përfaqësim efektiv të të gjithë aktorëve të shoqërisë.

Shqipëria e konsideron Iniciativën e Europës Qendrore një nxitëse të dialogut politik, vlerave demokratike, sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave e lirive themelore, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, mbështetëse të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe progresit ekonomik të shteteve anëtare.

Për këto qëllime fisnike kemi vijuar dhe do të vijojmë të punojmë.