Në 5 vite që prej nisjes së funksionimit të SPAK, vlera e aseteve të konfiskuara dhe të sekuestruara llogaritet rreth 150 milionë euro.
Shifrat u bën publike nga drejtuesi i SPAK Altin Dumani në forumin Rajonal mbi Mirëqeverisjen dhe Luftën Kundër Korrupsionit, që u zhvillua në Tiranë. Për kreun e prokurorisë së posacme, nisja e ndjekjes penale për subjekte të ndryshme pavarësisht profilit të tyre politik apo publik, është tregues i qartë aftësisë dhe kapaciteteve të këtij institucioni.
“Po të shikosh larminë e subjekteve për të cilët kemi arritur të ngremë akuza, i kemi në hetim, apo kemi përfunduar me një vendimmarrje, e tregon qartë këtë. Ne shikojmë zyrtarë të niveleve të larta në rang ish-zv/kryeministri, ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të të gjitha niveleve, punonjës policie të nivelit të lartë krerë bashkish, ish-kryetarë bashkish. Këto duhen parë si tregues, shenjë se SPAK po maturohet dhe po rritet dhe është në gjendje jo vetëm nga pikëpamja e përdorimit të mjeteve e teknologji me qëllim sigurimin e provave e ngritjen e akuzave penale, por për të pasur në fund një vendim fajësie që tregon edhe një proces penal të suksesshëm. Kemi arritur të sekuestrojmë e konfiskojmë si produkte të veprës penale apo pasuri me origjinë kriminale, vlera që shkojnë deri në 150 milionë euro dhe diversiteti i pasurive apo aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara është shumë i larmishëm”, u shpreh Dumani.
E pranishme në forum, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali vlerësoi rolin ekuilibrues dhe balancues të pushtetit gjyqësor, ndërsa theksoi se tashmë askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia.
“Ka ndodhur këtu kur prokurorët e përgjithshëm të këtij vendi shiheshin si vartës, trajtoheshin si kundërshtarë dhe luftoheshin si armiq. Ndodhte kjo kur njerëzit e gjyqësorit silleshin si despotë të pavarur nga ligji, me përgjegjësi vetëm ndaj një grushti njerëzish të politikës që nuk e shikonin, në vend që t’i hetonin. Pas shumë dilemash sot askush në sallonin e politikës nuk ka imunitet, amnisti, nuk ka bunker ta shpëtojë nga e shkuara dhe përballja me drejtësinë, sa herë ajo është e nevojshme”, tha Spiropali.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato theksoi rëndësinë që rezultatet e prekshme për uljen e korrupsionit të jenë të dukshme, ndërsa vlerësoi krijimin e Komisionit të Posaçëm me synimin e avancimit të reformave të mirëqeverisjes, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Ai tha: “Kuvendi krijoi një Komision të Posaçëm me synimin e avancimit të reformave të mirëqeverisje, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit. Kjo është një mundësi për të fuqizuar përpjekjet për parandalimin e korrupsionit, duke përfshirë kështu një sërë aktorësh dhe ekspertësh. Në fakt një përpjekje në të gjithë vendin dhe sigurisht që duke patur parasysh rezultatet që janë arritur duhet të vijojmë më tej”.