Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak Durrës, këshilltarët e pranishëm miratuan me unanimitet pikën nr.15 të rendit të ditës e cila kishte të bënte me parkimet publike.
Nisur nga problematika mjaft e rënduar e vendeve të parkimit nëpër rrugët dhe lagjet e qytetit, bashkia Durrës i propozoi KB-së miratimin e vendparkimeve publike të mëposhtme:
- Sheshi pranë Sfinks.
- Sheshi pranë Bar Portofino.
- Sheshi Vollga pranë Autoritetit Portual Durrës.
- Sheshi në rrugën Mars 91 Durrës.
- Sheshi pranë Hekurudhës Shqiptare me hyrje në rrugën Mars 91.
- Sheshi te Muzoleumi
- Sheshi në territorin e brendshëm të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.
- Sheshi pranë tregut fshatar.
- Sheshi pranë tregut industrial.
Sipas bashkisë, në secilin prej vendparkimeve publike të miratuara ka një numër të konsiderueshëm vendesh për parkimin e automjeteve të qytetërave durrsakë.
Nga evidentimet që janë bërë në terren rezulton se:
Në Sheshin pranë Sfinks ka në total 10 vendparkime.
Sheshi pranë bar Portofino ka në total 33 vendparkime.
Sheshi Pallati i Sportit “Ramazan Njala” ka në total 48 vendparkime.
Sheshi Vollga pranë Autoritetit Portual Durrës ka në total 140 vendparkime.
Sheshi në rrugën Mars 91 Durrës ka në total 74 vendparkime.
Sheshin pranë Hekurudhës Shqiptare me hyrje në rrugën “Mars 91” në total 99 vendparkime.
Sheshin te Muzoleumi ka në total 70 vendparkime.
Sheshi pranë tregut fshatar ka në total 13 vendparkime.
Sheshi pranë tregut industrial ka në total 81 vendparkime.
“Duke u nisur nga pozicioni strategjik i këtyre zonave, frekuentimin dhe fluksi që ato kanë gjatë gjithë vitit mendojmë që ky propozim është efikas dhe do jetë në ndihmë të qytetarëve, dhe do të ndihmojë Bashkinë Durrës në menaxhimin e këtij shërbimi dhe në zona të tjera të qytetit”,– shkruhet në relacionin që bashkia Durrës paraqiti para këshilltarëve bashkiak.
Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e KB-së, kryebashkiakja Sako theksoi se “kemi miratuar parkingje publike të cilat do ti pajisim me sinjalistikën përkatëse. Në dhjetor, në paketën fiskale, do të bëjmë miratimin e tarifave për këto zona, në mënyrë që të aksesohen dhe të jenë transparente për të gjithë qytetarët e Durrësit”.





