Në Selinë e Partisë së Lirisë u mbajt Tryeza me temë “Tetori Rozë – Sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave në parandalimin e sëmundjeve kancerogjene”, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Gjatë fjalës së Meta theksoi se “Shëndetësia falas”, është një mashtrim i madh dhe i pabesë i sektit kriminal të “Rilindjes”.
Kriminal është fakti, theksoi Meta, që të sëmurëve me tumore ju fillohet terapia dhe më pas ju ndërpritet për shkak të mungesës së barnave.
Fjala e Metës:
Faleminderit të gjitha zonjave dhe nënave dhe vajzave të pranishme në këtë aktivitet kaq kuptimplotë edhe shumë të rëndësishëm, falënderoj dhe doktoreshë Florida Ymerin edhe për fjalën e saj tepër kompetente edhe për këtë skanim që i bëri kësaj situate kaq kritike, sepse kemi “Tetorin Rozë” po e kemi për fat të keq me një bilanc sterrë për sa ju takon rezultateve parandaluese në radhë të parë dhe diagnostifikuese dhe së dyti edhe shëruese.
Natyrisht ky është një muaj shumë i rëndësishëm për ndërgjegjësimin e gruas dhe të nënës shqiptare për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së saj, por jo vetëm të saj, por edhe të familjes, sepse dihet qe është baza e edukimit dhe kujdesit edhe për fëmijët, ndaj nuk është thjesht një muaj ku duhet të vendosim një fjongo rozë, por është një muaj që na kujton se gjithë vitin duhet të jemi në një fushatë masive dhe energjike sensibilizimi në veprim për të rritur ndërgjegjësimin, për të mbështetur gratë dhe për të promovuar në veçanti zbulimin e hershëm te kancerit te gjirit.
Është jetike për çdo grua dhe çdo nënë që të kujdeset për veten, duke bërë mamografinë, e cila shpëton jetë.
Tryeza e sotme mblidhet pak kohë pas ngjarjeve tronditëse te Spitali Onkologjik, që rikthyen në qendër të vëmendjes së opinionit publik problemet tepër të rënda të shëndetësisë, si pasojë e korrupsionit, e papërgjegjshmërisë dhe e keqadministrimit.
Shëndetësia, si asnjë herë në historinë e saj, sot nuk ka më asnjë orientim as strategjik, as ekzekutiv, as legjislativ që t’i përgjigjet sfidave të përditshmërisë.
“Shëndetësia falas” rezultoi një mashtrim i madh dhe i pabesë, aq sa thonë është falas deri sa hyn tek dera e spitalit, pastaj ndryshon situata. Pasojat e saj janë shkatërrimtare për sistemin dhe sidomos për shërbimin publik, por edhe për shëndetin e jetën e qytetarëv edhe këtë e tregoi më së miri skandali i fundit tek Onkologjiku.
Rezultati më dramatik i “shëndetësisë falas” është që sot shqiptarët, qytetarët më të varfër të Europës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të Bankës Botërore, paguajnë rreth 60% të shpenzimeve nga xhepi I tyre ose mbi 750 milion euro në vit, si dhe pagesa e mbi 300 milion euro gjatë pandemisë Covid-19.
Ndërkohë që në spitalet, duke filluar nga QSU, shërbimi mjekësor përballet me mungesa të përditshme, bëhet tregti edhe me ilaçet për sëmundjet e rënda tumorale, mjaft aparatura nuk funksionojnë edhe qëllimisht por edhe për shkak të neglizhencës, spitalet marrin flakë dhe qindra ilaçe të domosdoshme mungojnë në farmacitë e vendit.
Ndërkohë që për fat të keq numri i pacientëve me sëmundjet tumorale është gjithnjë e në rritje, dhe shkaku i dytë i vdekjeve në vend, duke shkaktuar 16% të tyre, por çuditërisht në mënyrë skandaloze buxheti për Onkologjikun edhe pse rastet tumorale rriten, vjen duke u ulur, në raport me buxhetin e përgjithshëm.
Janë mbi 6 mijë raste të reja me sëmundje tumorale që regjistrohen çdo vit në vend.
Pesha në buxhet për trajtimin e sëmundjeve tumorale për vitin 2020 ishte 11.7% dhe në 2 vitet e tjera ra gati në 7.5%, pra në vend që të rritej, përkundrazi ajo pësoi një rënie të dukshme
Nevojat për ilaçe në QSUT janë 4 herë më të larta se sa buxheti që miratohet për këtë qëllim.
Mungojnë në mënyrë të vazhdueshme barnat antitumorale në Onkologji dhe në Onkopediatri, por edhe në shërbime te tjera.
Është dramatik dhe kriminal fakti që të sëmurëve me tumore ju fillohet terapia dhe më pas ju ndërpritet për shkak të mungesës së barnave.