Tregtarët e fruta-perimeve në Durrës kanë protestuar mëngjesin e kësaj të enjteje kundër transferimit të tregut në lagjen numër 18, në zonën e njohur si “Fusha e rërës”.

Katër ditë më parë tregtarët kanë marrë një shkresë nga Bashkia Durrës, ku iu bëhet me dije se kanë afat që të lirojnë ambientet e tregut Agrobujqësor deri më datë 5 korrik, pasi objekti do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.

Por tregtarët kundërshtojnë këtë vendim pasi sipas tyre, vendi i planifikuar për të ushtruar aktivitetin është i papërshtatshëm dhe nuk plotëson asnjë kusht higjienik për tregtimin e frutave dhe perimeve.

Tregtarët kërkojnë që të vazhdojnë të punojnë në të njëjtat ambiente edhe përgjatë sezonit të verës dhe transferimi të bëhet në shtator. Ndërsa theksojnë se paraprakisht duan të njihen me projektin nëse tregu i ri do të jetë në të njëjtën zonë ku është akutalisht apo jo.

“Ne nuk do të dalim nga këtu pa u sqaruar këto gjëra. Do ta hedhim mallin aty, banaqet do rrinë plot. Në bashki kemi bërë kërkesën dje, se ka marrë mundimin të vijë.”, thotë një tregtar.

“Ku do ta çojmë mallin. Të gjithëve ju prishet malli. Nuk po kërkojmë gjë tjetër, vetëm dy muaj shtyrje”, shprehet një tjetër tregtar.