Në shtyllat përballë me kryeministrinë janë vendosur kamera monitorimi me rezolucion të lartë, pak orë para nisjes së protestës së opozitës. Ndërkohë, me qëllim që qytetarët të mos shkulin kamerat, shtyllat janë lyer me graso. 

Partia Demokratike ka paralajmëruar se protesta do të nisë para godinës së kryeministrisë rreth orës 18:00 dhe më pas do të shtrihet në të gjitha rrugët e Tiranës. Ndërkohë sot dyert e kryeministrisë janë të “blinduara”, ndërsa instalacioni i kërpudhës që ndodhet në lulishten e këtij institucioni është hequr. Policia ka bërë me dije se mbi 1500 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA.

Në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.