Këshilli Shqiptar i Medias dhe Organizatat e tjera përballen me sulme shpifëse nga Prapaskena.com
Në një përshkallëzim të tensioneve të fundit, Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) dhe disa organizata të tjera mediatike janë bërë shënjestër e një sërë sulmesh anonime përmes artikujve të publikuar në portalin Prapaskena.com.
Përmbajtja e tyre, ka ngritur shqetësime për gjendjen e lirisë së medias dhe mbrojtjen e fjalës së lirë në Shqipëri.
Artikujt anonimë u shfaqën menjëherë pasi organizatat mediatike, përfshirë KSHM-në, lëshuan deklarata publike duke dënuar mbylljen e papritur të adresave në mediat sociale të CNA.al.
Mbyllja, e cila nuk ishte paralajmëruar paraprakisht, u perceptua nga grupet mediatike si një shkelje e fjalës së lirë dhe një akt censurimi.
Prapaskena.com, e cila duket se është në një konflikt me CNA.al, që atëherë ka publikuar artikuj të shumtë duke akuzuar organizatat dhe udhëheqjen e tyre për sjellje të pahijshme financiare dhe paragjykime politike.
Në një deklaratë zyrtare, KSHM nënvizoi mungesën e ndonjë prove në artikull për të vërtetuar akuzat për abuzim me fondet e BE-së, lidhjet me figura politike si Sali Berisha, apo pasurimin e supozuar të anëtarëve të këshillit.
Sipas Këshillit, akuzat janë tërësisht të rreme, duke vënë në dukje se KSHM nuk ka financime aktuale nga BE apo burime të tjera të jashtme dhe ka funksionuar gjithmonë me transparencë të plotë, duke përfshirë auditimet e rregullta të pavarura të projekteve të saj.
Reagimi i plotë:
Këshilli Shqiptar i Medias dhe disa organizata të tjera bashkë me kryetarët e tyre, janë sulmuar nominalisht përmes një serie shkrimesh online në portalin Prapaskena.com, në shkrime anonime të panënshkruara.
Shkrimet, janë botuar pasi organizatat e medias bënë deklarata publike në mbrojtje të mbylljes së paparaljamëruar të faqeve në rrjete sociale të medias CNA.al, media me të cilën portali Prapaskena.com duket se është në konflikt, çka mund të lexohet dhe në shumë artikuj në faqet e saj.
Në deklaratat e tyre, organizatat e medias nuk merren me emrin e medias e as me pronarin e saj, por me principin në bazë të të cilit asnjë media nuk mund të mbyllet pa paralajmërim, dhe se kjo është censurë ndaj lirisë së informimit.
Shkrimi kundër Këshillit të Medias, botuar në datën 01/10/2024 në Prapaskena.com, me titullin “Këshilli i Medias i Koloreto Cukalit ose xhepi i pasëm i Berishës që ‘rruan’ fondet e BE-së, pseudogazetarë me vila dhe ish deputetë që po pasurohen në kurriz të gazetarëve”, është i mbushur me të pavërteta, fakte të paqena dhe shpifje të pastra.
- Vetë titulli është abuziv, dhe i pavërtetë dhe një shpifje e pastër. Në artikull nuk ka asnjë fakt që të vërtetojë “abuzimin me fondet e BE”, lidhjet e “KSHM me Z. Berisha”, apo “pasurimin në kurriz të gazetarëve”. Artikulli nuk fakton e nuk dop mundet kurrë të faktojë asnjë lidhje mes aktivitetit të KSHM dhe pasurisë së kujtdo gazetari, sepse lidhjew të tilla nuk ekzistojnë. Gjithashtu, të jesh ish-deputet nuk është as krim e as turp. KSHM është krenare që Kryetar të Bordit të Etikës ka një prej Profesorëve më të respektuar profesionalisht të gazetarisë, z. Mark Marku.
- Akuza për “rruajtje të fondeve të BE”, dhe që KSHM është një “zgafellë që thith, qarkullon dhe ndan donacionet e Bashkimit Evropian, që janë taksat e qytetarëve evropianë” përveç vulgaritetit, nuk ka asnjë të vërtetë. Praktikisht, krejt insinuata është shpifje, sepse: 1)Në momentin kur është botuar ai shkrim, KSHM nuk ka asnjë financim, as nga BE e as nga ndonjë burim tjetër. 2) KSHM është krenare që është mbështetur në të shkuarën nga BE e do të mbështetet në të ardhmen për punën e vet në promovim të vetërregullimit e të mbrojtjes së lirisë së medias. Të financohesh nga BE nuk është as krim e as turp, por e vetmja mënyrë për të ruajtur pavarësinë nga qeveria, oligarkët apo paratë e mafias. 3) KSHM, është audituar rregullisht në mënyrë të pavarur dhe nga donatorët, për të gjithë projektet e saj.
- Përmendja e z. Armand Shkullaku, Z. Sokol Shameti dhe z. Alfred Lela, është keqinformuese. Z. Shkullaku, Z. Shameti dhe z. Lela, janë vetëm 3 nga 36 themeluesit e KSHM, të gjithë gazetarë me emër e reputacion e që, njësoj si 36 themeluesit, në momentin e themelimit të Këshillit, nuk kanë pasur poste apo ofiqe partiake, institucionale apo shtetërore. Si z. Shkullaku, z. Shameti dhe z. Lela nuk janë të angazhuar në punën e përditëshme e as në vendimet e Këshillit. Në momentin që z. Shameti e z. Lela kanë marrë përsipër pozicione në institucione të tjera, i kanë shkëputur krejtësisht të gjitha ndërveprimet e komunikimet me KSHM.
- Përmendja e z. Baçi, znj Toçe dhe z. Haxhimihali është keqinformim i qëllimshëm. Zonja dhe zotërinjtë e cituar, secili me integritetin e vet personal e profesional, kanë qenë anëtarë të Bordit të Etikës deri në vitin 2019. Që prej atij viti nuk kanë më asnjë lidhje, të asnjë lloji me aktivitetin e KSHM. Që prej atij viti, KSHM ka një bord të ri etike i cili përditësohet rregullisht çdo vit në Aleancën e Mediave Për Etikën, e cila ka 38 media anëtare, e ku Prapaskena.com nuk bën pjesë.
- Akuza ndaj Kryetarit të KSHM, Koloreto Cukali, si “person, i cili merr fonde nga BE për të mbrojtur mediet, paraqitet si dëshmitar nëpër gjyqe kundër mediave, ndërsa e përdor Këshillin si një kondom për Ilir Metën dhe Sali Berishën” është shpifje e pastër. Z. Cukali nuk ka qenë në asnjë rast dëshmitar në asnjë gjyq kundër asnjë medie. Përdorimi i Këshillit, përtej vulgaritetit të shkrimit, në shërbim të një partie apo politikani është gjithashtu shpifje e pastër. Online mund të gjenden deklaratat e z. Cukali, në emër të Këshillit, kundër z. Meta dhe z. Berisha, kur ka qenë puna për të mbrojtur mediat dhe gazetarët. Gjithashtu, z. Cukali nuk ka asnjë njohje personale e asnjë kontakt të çfarëdo natyre me z. Meta e z. Berisha.
- Së fundi, fakti që Prapaskena.com sulmon 4 organizata të medias dhe/ose Kryetarët e tyre brenda pak ditësh nga botimi i deklaratave në mbrojtje të lirisë së medias ndaj censurës në platformat online, është një shenjë e keqe jo për organizatat, por për vetë lirinë, sepse tregon që ka dhe media të cilat janë të interesuara për censurën ndaj fjalës së lirë.
- Pavarësisht sulmit ndaj saj, KSHM, mbetet në mbrojtje të lirisë së cënuar të çdo gazetari e çdo medieje, përfshirë edhe Prapaskena.com nëse do vijë rasti, pa paragjykim.
Në emër të KSHM,
Kryetari
Koloreto Cukali