Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan do të vizitojë Shqipërinë ditën e enjte.
Erdogan pritet të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe me kryeministrin Edi Rama, madje me kreun e qeverisë shqiptare pritet të mbajë një konferencë shtypi të përbashkët.
Mësohet se Erdogan gjatë vizitës së tij në Shqipëri do të inaugurojë edhe xhaminë e Namazgjasë në Tiranë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, ndërsa në takimin e disa muajve më parë me kryeministrin Rama, Erdogan pati deklaruar se bashkëpunimi ekonomik mes Turqisë dhe Shqipërisë do të forcohet dhe se volumi tregtar me Shqipërinë ka arritur në 1 miliard dollarë, ndërsa objektivi i qeverisë turke është që ta çojë atë në 2 miliardë dollarë në të ardhmen.
Një ditë pas vizitës së tij në Tiranë, Erdogan do të udhëtojë drejt Beogradit, pasi sipas asaj që shkruajnë mediat turke, lideri turk ka planifikuar edhe një takim me Vuçiç më 11 tetor.