Gazetari Artan Hoxha ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku foli për kasetën e fshehtë që dorëzoi në SPAK. Hoxha bëri deklaratën e fortë, ku tha se serveri para se të fshihej është kopjuar.
Në lidhje me vrasjet e katër protestuese të 21 janarit, ai tha se nuk janë kryer nga pakujdesia, ndërsa shtoi se vendimi i dhënë nga gjykata shqiptare nuk është e drejtë.
“Është një audio regjistrim një person që ka pasur akses në komunikimin e kanalit të sigurt, të drejtuesve të lartë të Gardës. Ata kishin një kanal të veçante që komunikonin, një person ka pasur akses dhe ka regjistruar atë. Janë regjistruar komandat dhe urdhrat e dhëna.
Garda e Republikës… edhe dje që ishte protesta kanë komunikuar në radio. Kjo për të verifikuar nëse urdhrat kanë qenë në përputhje me ligjin. Ndaj dhe Kryeministria u mbush dje me kamera. U lyen dhe shtyllat me graso, se protestuesit ngjiteshin atje dhe i hiqnin.
Serverat e 21 janarit u fshinë. Ata e panë, bënë një kopje dhe e fshinë. Serveri i Gardës u tha se nuk filmonte. Kjo është një masë sigurie. Thuhet se vrasjet janë kryer nga pakujdesia. Kur ka qëlluar komandanti i Gardës, kur ka qëlluar shefi i shtabit, që janë të stërvitur… kjo do të thotë që nuk kanë qenë vrasje nga pakujdesia.
Vrasjet nuk janë nga pakujdesia, vendimi i dhënë nga gjykata shqiptare nuk është i duhuri”, u shpreh gazetari Hoxha.