Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Astrit Patozit dhe Myslim Murrizit lidhur me financimin e partive politike dhe ka shfuqizuar pikën 3 të nenit163 të Kodit Zgjedhor, që parashikon ndarjen e mandateve sipas herësit.

Gjykata Kushtetuese thekson pika 3 e nenit 163 është e pa pajtueshme me Kushtetutën.

Kjo do të thotë se zgjedhjet parlamentare të 2025-ës do të mbahen me lista 100% të hapura, nëse do të kemi po këtë Kod Zgjedhor.

NJOFTIMI I GJYKATES

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë “Bindja Demokratike” dhe partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.