David Baker, Demis Hassabis e John Jumper janë fituesit e Nobelit të sivjetshëm të Kimisë. Shkencëtarët e rinj vishen me meritën e përdorimit të Inteligjencës Artificiale për çkodimin e thuajse të gjitha proteinave të njohura, që shihen si “pajisjet kimike të jetës”.

Biokimisti 62 vjecar Baker, mori gjysmën e çmimit për dizajnin kompjuterik të proteinave, ndërsa Hassabis dhe Jumper ndajnë mes tyre pjesën tjetër për “parashikimin e strukturës proteinike”.

“Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vendosi t`ia japë cmimin e Kimisë 2024 gjysmën David Bakerit nga Universiteti i Ëashingtonit dhe gjysmën tjetër Demis Hassabisit dhe John Jumperit, dy drejtues të degës së inteligjencës artificiale të “Google”, “DeepMind”. Potenciali i zbulimit të tyre është i jashtëzakonshëm.“- u shpreh Hans Ellegren, Sekretar i Përgjithshëm i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave.

Tre shkencëtarët u vlerësuan për ndërtimin e një modeli të inteligjencës artificiale që parashikon strukturat e ndërlikuara të proteinave, ngërç ky që kishte mbetur i pazgjidhur për gjysmë shekulli. Hassabis dhe Jumper krijuan së bashku “AlphaFold”, një program i IA-së që parashikonte strukturën – e pothuajse të gjitha proteinave të njohura.

Proteinat janë lëndë organike që luajnë rol të rëndësishëm në strukturën, funksionimin dhe rregullimin e qelizave në organizmat e gjallë. Ato janë të rëndësishme në rritjen dhe riparimin e indeve si dhe në mbrojtjen e organizmave nga infeksionet. Çmimi prestigjioz vjen edhe me një shpërblim prej 1.1 milionë dollarësh, që ndahet mes laureatëve.