Në Tiranë pritet të përurohet nesër Xhamia e Namazgjasë me praninë e presidentit turk Rexhep Tahip Erdogan dhe kryeministrit Edi Rama.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet në ceremoni nga Myftiu i Tiranës.
Ish-kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, thotë për Zërin e Amerikës se në çështjen e Xhamisë së Namazgjasë ka ndodhur një ndërhyrje e egër politike nga faktorë të jashtëm.
Zoti Bruçaj kritikoi mungesën e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në përurimin e Xhamisë së Namazgjasë.
Nga ana tjetër, nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica, thotë për Zërin e Amerikës, se përurimi i Xhamisë është më i rëndësishëm se prania e titullarëve sipas rangut.
Ish kryetari Bruçaj thotë se Xhamia e Namazgjasë nuk është ndërtuar me fonde publike të shtetit turk, por është ndërtuar me kontributet vullnetare të besimtarëve myslimanë turq.
“KMSH kishte mundësi atëherë që ta ndërtonte xhaminë edhe me donatorë të tjerë nga shtete të tjerë, por u zgjodh Turqia duke ditur se në vite janë mbledhur të ardhura nga myslimanët turq për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe për shkak të një protokolli me Turqinë nënshkruar nga ish kryetari i ndjerë Haxhi Selim Muça dhe pastaj nga unë, Skënder Bruçaj, mbi një kontratë me Dianet, Komunitetin Mysliman të Turqisë”, tha ai.
KMSH bëri të ditur se në ceremoninë e përurimit të Xhamisë së Namasgjasë “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej”.
Por në komentet për Zërin e Amerikës, ish kryetari i KMSH-së Skënder Bruçaj kritikoi mospraninë e kryetarit të KMSH-së, Bujar Spahiu, në këtë ceremoni krahas presidentit turk Erdogan dhe kryeministrit shqiptar Rama.
“Në hapjen e Xhamisë së Namazgjasë mospraninë e kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë unë e shoh si një akt të shëmtuar, por duke qenë se procedurat ose organizimin e ceremonisë ditën e nesërme unë e shoh si një organizim politik, atëherë më mirë që ai nuk është aty”, tha zoti Bruçaj.