Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan viziton sot Tiranën, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të vendit, si dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të Xhamisë së Madhe të Tiranës ose siç njihet e Namazgjasë.

Burime për mediet, bëjnë të ditur se bashkë me Kryeministrin Edi Rama, Presidenti Erdogan do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Xhamisë së Madhe në Tiranë.

Sipas agjendës, vizita e Presidentit Erdogan do të nisë me një takim kokë më kokë me presidentin Begaj, për të vijuar me mbledhjen e Këshillit të Bashkërendimit të nivelit të lartë dhe ceremoninë e firmosjes së marrëveshjeve.

Po ashtu pritet një deklaratë për mediet e Presidentit Erdogan dhe Kryeministrit Edi Rama.

Xhamia në qendër të kryeqytetit, e konsideruar si më e madhja në Ballkan është veshur me flamujt e Turqisë dhe Shqipërisë, e pas inaugurimit do të jetë e hapur për të gjithë besimtarët myslimanë.

Imami i xhamisë do të jetë myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, ndërsa për menaxhimin e xhamisë të ndërtuar si një kompleks multifunksional, do të ngrihet një fondacion, që edhe ky do të drejtohet nga imami Teqja.

Për menaxhimin e xhamisë së ndërtuar si një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve, do të ngrihet një Fondacion, në krye të të cilit do të jetë imami i Xhamisë së Namazgjasë, në përbërje të të cilit mund të ketë edhe përfaqësues nga Turqia.

Pas mesditës do të mblidhet këshilli i bashkërendimit të nivelit të lartë e mes dy vendeve pritet të firmosen disa marrëveshje. Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, të dy do mbajnë një deklaratë, për të vijuar më tej rreth orës 16:30 me inaugurimin e Xhamisë.

Erdogan do të qëndrojë vetëm një ditë në Tiranë, pasi të nesërmen do të jetë në Serbi për një tjetër vizitë zyrtare, tashmë në Beograd.

Agjenda:
11:30 – 11:40
Ceremonia e pritjes në Presidencë

11:40 – 12:40
Takim koke me koke me presidentin Begaj

12:40 – 13:40
Mbledhja e Këshillit të bashkërendimit të nivelit të lartë

13:40 – 14:00
Ceremonia e firmosjes së marrëveshjeve

14:00 – 14:30
Deklaratë Erdogan- Rama

16:30 – 17:30
Ceremonia e inaugurimit të Xhamisë

MASAT E POLICISË
Në këtë kontekst, policia e shtetit ka njoftuar planin e masave që do të ndërmerren për sigurinë e kreut të shtetit turk.

Policia njoftoi se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vizitës, në Tiranë.

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar – Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar.

Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:

Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir) – Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush”.

Njoftimi i policisë:
Në kuadër të vizitës në Shqipëri, të Presidentit të Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka marrë një sërë masash të detajuara për sigurinë e vizitës së Presidentit të Turqisë z. Recep Tayyip Erdoğan, duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.

Një nga masat e planit të detajuar konsiston në sigurimin e vizitës të presidentit të Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan, i cili do të zhvillojë takime në datën 10 tetor 2024, në qytetin e Tiranës.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit njofton qytetarët se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të takimeve dhe aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vizitës, në Tiranë.

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë autostradën e re Kashar – Rinas, për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi aksi i vjetër Kashar – Rinas nga ora 10:00 deri në 11:30, si dhe nga ora 17:00, deri në orën 18:00, të datës, 10.10.2024, do të jetë i bllokuar.

Rrugë të tjera që do të bllokohen janë:

Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”, Unazë (Astir) – Rrethrrotullimi i Saukut, Rruga e Elbasanit.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ura te ish Hotel Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” rruga “Ukraina e Lirë”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe rruga “Xhorxh Bush”.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për masat që ka ndërrmarrë dhe do të zbatojë gjatë vizitës së z. Recep Tayyip Erdoğan.