Ishte shkurti i vitit 2010, kur Florjan Kola, asokohe 25 vjeç aksidentohet me automjet gjatë kthimit nga Tirana për në Shkodër.
Pas disa muajve trajtim në spital e më pas në shtëpi, i riu merr një telefonatë e cila do t’i ndryshonte jetën për mirë. Të paktën kështu mendoi ai.
“Më tha jam avokat Genci Ismaili, më ka caktuar gjykata dhe jam unë avokati yt. Do të marrim një shpërblim. Më kërkoi përqindje, sigurisht ia lashë 30% të shumës“, thotë Florjani.
Procesi gjyqësor nisi, shoqëruar dhe me prokurën e posaçme, të firmosur nga vetë Florjani, i cili do t’i jepte avokat Genci Ismailit të drejtën ligjore që ai ta përfaqësojë atë në çdo veprim juridik lidhur me rastin në fjalë.
Por krahas prokurës së parë, në dokumente u bashkangjit edhe një e dytë, e firmosur më datë 8 korrik 2011, ku nëna e Florjanit dhe dy motrat e tij, gjithashtu i jepnin të drejtën ligjore të njëjtit avokat për t’i përfaqësuar në gjyqin ndaj kompanisë së sigurimeve, me qëllim për të përfituar dëmshpërblim, pasuror dhe jo pasuror.
Mirëpo ky dokument ka një problem të madh, pasi siç dëshmon Florjani, familjarët e tij nuk ishin në dijeni për gjyqin dhe firmat, pasi edhe për nënën e tij dhe dy motrat, kishte firmosur Florjani, me qëllimin e vetëm për të përfituar lekë. Mirëpo gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve të të riut. Pas shumë procedurave, avokati i tha Florjanit se nuk mundën të përfitojnë para.
“Do hapim gjyq për kempin, do marrësh lekë. As nuk hapi gjyq për kempin as përfituam lekë dhe nuk pranoi të jepte asnjëlloj shpjegimi“, tregon 39-vjeçari shkodran.
Ai besoi çdo fjalë të avokatit, deri në momentin kur hapi dosjen e tij në arkivë.
“Aty zbulova shumat e ekspertit, prokura, zbulova rrëzim çështje. Më tha ajo punonjësja ta ka rrëzuar çështjen avokati dhe me atë çështje ke humbur 25 milionë. Më kishte dëmshpërblyer gjykata, por duke mos e ditur unë që më ka dëmshpërblyer“, tha ai.
E vërteta ishte tepër e hidhur për Florjanin, kjo sepse Gjykata e Tiranës kishte vendosur ta dëmshpërblente atë me 25 milionë lekë, sipas vlerësimit të ekspertit, detyrim që do të paguhej nga kompania e sigurimeve, por më datë 27 shkurt 2013, gjyqtarja Manjola Bejleri vendosi pushimin e çështjes, pasi avokat Genci Ismaili kishte shmangur seancën gjyqësore duke mos u paraqitur fare në sallë.
“Avokati kishte bërë marrëveshje me Sigalin. Kam dokumentin që unë i paskam kaluar avokatit 27 milionë në llogari të tij. Prokurat janë bërë pa dijeninë time, pa dijeninë e familjarëve. Kur pashë prokurat, firmat ishin të miat. Avokati kishte shfrytëzuar rastin dhe më kishte ofruar prokurat përpara që unë të firmosja prokurën në emër të tjetërkujt”, thotë ai.
Gjithë pretendimet dhe akuzat e Florjanit, janë vetëm njëra anë e medaljes, prandaj vlerësuam se është e drejtë të degjojmë edhe pretendimet e avokat Ismailit. Fillimisht duke u hequr si të afërm të viktimës. Sapo ne shkojmë në zyrën e avokatit, ai na nxjerr jashtë me forcë dhe fraza kërcënimi, duke u larguar më pas me biçikletë. Ne shkuam sërish për një ballafaqim me avokat Ismailin, por edhe herën e dytë ai u largua duke pedaluar me shpejtësi.
Në të tretën herë të përballjes me të, me fat që avokati nuk e kishte biçikletën, ne e pyetëm lidhur me çështjen e Florjanit, por ai u justifikua duke deklaruar se “ia ka dhënë paratë në dorë të riut shkodran, dhe se çdo provë e ka dorëzuar ne Prokurori”./PIRANJAT