Dita e parë e kësaj jave përkoi me nisjen e sezonit të provimeve të semestrit të dytë në UAMD. Pas një viti, ku u detyruan të zhvillojnë mësimin online për shkak të pandemisë, studentët do të testohen tani për dijet e përvetësuara.
Rektorja Kseanela Sotirofski e pranon se ky ishte një vit i vështirë, pasi ndryshe nga viti akademik 2019-2020, viti aktual u zhvillua online. Sipas rektores, shumë studentë nuk i kishin mundësitë për zhvillimin normal të këtij procesi, por ecuria e përgjithshme ka qenë e mirë.
“Në terma të përgjithshëm, unë mund të them që ka shkuar mirë, megjithatë ne na ka munguar dhe besoj të gjitha universiteteve i ka munguar auditori, sepse mësimi online gjithmonë ka minuset e veta. Unë mendoj që kemi dhënë maksimumin tonë në mësimin online, jemi përpjekur, edhe pse jo gjithmonë studentët kanë pasur në dispozicion burimet e duhura për të pasur maksimunin gjatë mësimit”.
Pavarësisht se javët e fundit të konsultimeve prania e studentëve në auditore nuk ishte e detyrueshme, është vënë re një numër i madh i tyre në UAMD.
“Studentët vërtet kanë nevojë të rikthehen dhe të fillojnë jetën normale, mësimin normal dhe të jenë me njëri-tjetrin gjatë ditës për të bërë mësim, por jo vetëm”, – thotë Sorirofski.
Mos prezenca në auditore ka ndikuar veçanërisht tek studentët e viteve të para.
“Numri më i madh i studentëve që kanë marrë pjesë në mësim kanë qenë pikërisht ata të viteve të para dhe shqetësimi ynë kryesor kanë qenë studentët e viteve të para, pasi ne në universitet nuk ofrojmë vetëm mësim, ne në universitet ndajmë me njëri-tjetrin edhe disa vlera të tjera dhe kemi një kulturë institucionale me të cilën duam t`i njohim studentët tanë. Kjo i ka munguar studentëve të viteve të para, sepse fatkeqësisht nuk jemi njohur me njëri-tjetrin. Përsa i përket viteve të treta, vërtetë ka qenë e vështirë por vitet e treta kanë qenë më të familjarizuar dhe me pedagogët dhe me rregulloren dhe me procedurat brenda universitetit, por ne po synojmë që këto javë që kemi në dispozicion për konsultime t’i krijojmë viteve të para ose t’i japim më shumë vëmendje viteve të para për t’i përshtatur me politikat e universitetit, për t’i përshtatur me jetën akademike brenda universitetit, për të pasur një kalim më të butë në vitin e dytë”.
Procesi i provimeve të vitit akademik 2020-2021 pritet të mbyllet në fund të muajit korrik.





