Gjatë ditëve të fundit, ujërat e Liqenit Artificial të Tiranës kanë pësuar ndryshime në ngjyrë, ku dallohen qartë një shtresë e gjelbër dhe një aromë karakteristike algash.
Aleko Miho, profesor në Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe aktivist mjedisor, shpjegon se kjo është një shtresë algash blu të gjelbra, një gjini cianobakteresh që gjenden shpesh në komunitetin e fitoplanktonit të ujërave të ëmbla.
Këto baktere vijnë si pasojë e ndotjes së madhe me lëndë ushqyese që vijnë nga ujërat e patrajtuara urbane.
“Mbetet një sfidë grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza për të gjithë pellgun e Tiranës, si një domosdoshmëri për cilësinë e jetës së njeriut dhe të gjithë botës së gjallë,” theksoi profesor Miho./ BIRN