Prokuroria e Tiranës kërkon që të kthehet në burg Jehon Breçani, djali 19-vjeçar i ish-drejtorit të Policisë Erzen Breçani, i cili pak kohë më parë aksidentoi një vajzë 23-vjeçare me makinë dhe për pasojë i këputi këmbën.
Të premten, Gjykata e Tiranës ka vendosur të lirojë nga qelia të riun që lëvizte me “Mercedes” dhe e ka lënë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Sipas raportimeve, 19-vjeçari kishte marrë dhe vetë dëmtime nga aksidenti.
Lajmi për daljen nga qelia të Jehon Breçanit u bë me dije vetëm mbrëmjen e djeshme, ndërsa sot burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se, organi i akuzës së kryeqytetit ka kërkuar që 19 vjeçari të rikthehet në burg.





