Një person në Kuvajt është arrestuar pasi postoi një video në “TikTok” duke u ankuar për stuhinë e rërës që ka mbërthyer vendin ditët e fundit.
“Jam brenda një stuhie rërë tani. Nuk mund të shikoj asgjë”, thotë ai në video dhe bën publike pamjet se si rëra ka pushtuar autostradën sikur të ishte mjegull.
“Mirë Kuvajt, mirë”, vijon ai në arabisht në videon që u bë virale në rrjete sociale dhe ka marrë dhjetëra mijëra shikime.
Mirëpo kjo i ka kushtuar lirinë atij pasi ministri i Brendshëm deklaroi të dielën se personi pas videos u arrestua dhe iu referua autoriteteve të cilat do të marrin masat ligjore ndaj tij.
Mësohet se i arrestuari është një person me nënshtetësi egjiptiane. Pas kësaj ngjarje disa përdorues të tjerë kanë postuar video duke ofenduar motin në këtë vend.





