Gjermania nderoi të premten presidentin amerikan Joe Biden për kontributin e tij në marrëdhëniet transatlantike, përpara takimeve të tij me aleatët evropianë lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme.

Por zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara hodhën një hije mbi udhëtimin e zotit Biden, vizita e parë dypalëshe në Gjermani nga një president amertikan në gati tetë vjet.

Ndërsa kanë mbetur më pak se tre javë nga zgjedhjet dhe gara është jashtëzakonisht e ngushtë, ka shqetësime se një fitore e ish-Presidentit Donald Trump mund të prishë marrëdhëniet transatlantike që zoti Biden shpreson t’ia kalojë Nënpresidentes Kamala Harris, kandidates demokrate.

Zoti Trump, kandidati republikan, ka lënë të kuptohet se do të vendosë tarifa tregtare ndaj partnerëve kryesorë të sigurisë së SHBA-së.

Ai ka shprehur indiferencë ndaj sigurisë së Ukrainës, duke refuzuar të thotë gjatë një debati presidencial nëse dëshiron që aleati i SHBA-së të fitojë në luftën kundër Rusisë.

Ai ka hezituar të shprehet për mbrojtjen e anëtarëve të NATO-s nëse ata sulmohen.

Këto shqetësime u reflektuan ndërsa zotit Biden iu dha Urdhri i Meritës i Gjermanisë, një vlerësim i lartë që i është më parë ish-presidentit të SHBA-së, George H.W. Bush për mbështetjen e tij ndaj ribashkimit gjerman.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier e vuri theksin tek interesi i zotit Biden për Gjermaninë që prej më shumë se katër dekadash.

Ai tha se miqësia me SHBA-në është “dhe do të jetë gjithmonë e një rëndësie ekzistenciale” për Gjermaninë, por se gjithmonë ka pasur “periudha afërsie dhe distancimi”.