Partia Demokratike do të organizojë protestën e radhës më 29 tetor. Lajmin e ka bërë me dije kreu i PD-së, Sali Berisha.

Ai tha se udhëheqësit e PD në qarqe do të marrin përsipër të organizojnë protestën në kryeqytet. Ai tha se protesta do jetë më 29 tetor, ndërsa e radhës do të jetë akoma edhe më afër.

“Më datën 29, udhëheqësit e PD në qarqe marrin përsipër të organizojnë në rang qarku paralizimin këtij regjimi”, tha ai.

Shpallja e datës së kësaj protestë vjen pas arrestimit të Ilir Metës, i cili akuzohet për dosjen “Cez-Dia”, si dhe për pastrim parash.

Në lidhje me arrestimin e Ilir Metës, Berisha e cilësoi si politik, duke thënë se Rama nxori banditë nme uniformë për të tërhequr zvarrë kreun e PL.

“Kjo mbledhje kryesie e thirrur ditë më parë mblidhet sot në një moment, në një ditë, në të cilën regjimi, narko-regjimi i Edi Ramës kreu një akt terrorist të vërtet. Rrëmbeu në mes të rrugës, tërhoqi zvarrë dhe goditi me urdhër të Edi Ramës, ish-presidentin, ish-kryeministrin, ish-kryetarin e Parlamentit, kryetarin e partisë së dytë më të madhe opozitare, z.Ilir Meta, e gjitha kjo si përson nën hetim.

Edi Rama, me këtë akt prej burracaku, prej frikacaku dëshmoi se në shpirtin e tij nuk ka asnjë dallim nga i ati xhelat që i tmerruar nga vargjet e Havzi Nelës firmoste varjen e tij në litar si kundërshtar politik.

Të nxjerrësh një bandë me uniformë, të rrëmbejnë, të zvarrisin, të godasin njërin nga personalitetet me karrierë më të gjatë politike, i cili në rininë e tij bëri aq sa kishte mundësi për një orientim europian të partisë së krimit.

Në periudha tjera, veçanërisht gjatë luftës në Kosovë dha kontribut thelbësor në përballimin e krizës, qendroi në detyrën e presidentit në mbrojtje të Kushtetutës dhe pluralizmit”, tha Berisha.