Avokati Genc Gjokutaj ka vizituar këtë të martë ish-presidentin Ilir Meta i cili prej ditës së djeshme ndodhet në ambientet e paraburgimit te “Mine Peza”. 

Pas takimit me të Gjokutaj tha për mediat se vendimi për arrestimin e Metës është bërë pa prova, ndërsa izolimi i tij është një sulm politik si pasojë e denoncimeve kundër korrupsionit që ai ka bërë. 

“Ky është një takim rutinë me zotin Meta. Ju bëj me dije që pas leximit të vendimit nuk flitet për asnjë provë. Qëllimi i izolimit të tij është politik. Meta është pjesë e opozitës që sot është në një sulm të padrejtë, jo juridik, politik, por përmes instrumenteve ligjzbatuese dhe të drejtësisë. Zero prova. Shkaku i izolimit të Ilir Metës është çështja e sovranitetit dhe të gjitha denoncimet që i ka bërë korrupsionit të kësaj qeverie. 

Zoti Meta për mediat ka një porosi, ju inkurajon të pasqyroni me transparencë këtë proces edhe tej atyre që SPAK thotë. Qëllimi për të cilin Meta është i izoluar me tekstin që është shkruar në vendim janë kundra dhe s’kanë të bëjnë me njëra-tjetrën”,-tha avokati.