Albin Kurti nuk e konsideron zgjidhje një përsëritje të marrëveshjes së emigrantëve mes Italisë dhe Shqipërisë. Përkundrazi, në një intervistë për Euractiv, kryeministri i Kosovës pretendon se kjo mund të ngjallë shqetësime për të drejtat e njeriut.
“Nëse qendra riatdhesimi të ngjashme me ato në Shqipëri mund të ndërtohen në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si mund të sigurohemi që të drejtat e individëve të burgosur të respektohen?”, u shpreh ai, duke shtuar se qendra të tilla do të rëndonin në ndërgjegjen e qytetarëve të Ballkanit dhe atyre të Bashkimit Evropian.
Kurti e pranon se nëse e dikton një situatë urgjence, një pranim i përkohshëm emigrantësh edhe mund të merret në konsideratë, megjithatë nuk shprehet kundër idesë së përsëritjes së modelit italian.
“Po flasim për qenie njerëzore këtu, të cilat duhen trajtuar me kujdes”, është komenti i tij.
Artikulli kujton sesi pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani dhe rënies së Kabulit në duart e talebanëve gushtin e vitit 2021, Kosova ashtu si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – priti disa qindra afganë të evakuuar nga ushtria amerikane, duke i strehuar në bazat e NATO-s përpara se ata të zhvendoseshin në vende të ndryshme perëndimore.