Katër persona të së njëjtës familje, që u plagosën në Velipojë si rezultat i shpërthimit të një bombule gazi, ndodhen në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Ato kanë pësuar djegie në shkallën 85-90 % si pasojë e flakëve që ka shkaktuar shpërthimi i bombulës.
Të plagosurit të moshës 11 deri në 40 vjeç, janë transportuar drejt spitalit të Shkodrës fillimisht, dhe më pas drejt Tiranës.
Ndërkohë detaje të reja raportohen mbi ngjarjen e rëndë. Raportohet se pjesëtarët e familjes Gjoka nga Lezha, kishin në pronësi hotelin ku ndodhi shpërthimi, ndërsa kryefamiljari ndodhet në Itali. Ato kishin shkuar në hotel për ta pastruar dhe bërë gati për nisjen e sezonit turistik.
Një i afërm i familjes Gjoka thekson se gjendja e tyre është e rëndë dhe ngjarja ka ndodhur në momentin që është ndezur një bombol e vogël për të bërë kafe.
“Pata dalë për të marrë bukë dhe kur erdha rrugës ndjeva shpërthimin, Unë e kam të afërm se është vëllai i gruas. Sapo ka ndezur bombolën e gazit të voglën për të bërë kafen ka ndodhur dhe shpërthimi. Ngjarja është shumë e rëndë, nusja ka ardhur bashkë me fëmijët, burrin e ka në Itali, dhe ajo bashkë më fëmijët ka ardhur me pastru për me nis sezonin. Sapo kanë ndezur një bombol për kafe ka ndodh e gjithë kjo”, është shprehur ai.
Ndërkohë policia ka dhënë informacionin zyrtar nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm.
Policia sqaron se kanë mbetur të plagosur nëna 40-vjeçe A. Gjoka dhe tre fëmijët e saj, dy vajzat D. Gj. 19 vjeçe, K. Gj. 15 vjeçe, dhe djali i mitur, E. Gj. 12 vjeç.
“Më datë 04.07.2021, rreth orës 06:45, në fshatin Pulaj-Plazhë, rruga Nr.5, Velipojë, Shkodër, në një hotel tre katësh ka shpërthyer një bombul gazi, ku si pasojë janë dëmtuar shtetasit A. Gj. 40 vjeçe, D. Gj. 19 vjeçe, K. Gj. 15 vjeçe, dhe E. Gj. 12 vjeç, të cilët u dërguan për ndihmë mjeksore më të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë”,- njofton policia





