Kompania shtetërore e naftës në Meksikë njoftoi dje se pësoi një këputje në një tubacion nëntokësor të gazit në Gjirin e Meksikës, duke shkaktuar flakë të mëdha që zienin në sipërfaqen e ujërave të Gjirit.
Petroleos Mexicanos tha se kishte dërguar anije të kontrollit të zjarrit për të pompuar më shumë ujë mbi flakët. Pemex, siç njihet kompania, tha se askush nuk u lëndua në incidentin në fushën detare Ku-Maloob-Zaap. Kompania tha se e kishte vënë nën kontroll rrjedhjen e gazit rreth 5 orë më vonë.
Pamjet e shkaktuara nga aksidenti, flakët që zienin nga poshtë sipërfaqes së Gjirit të Meksikës, bënë xhiron e mediave.
Është e paqartë se sa dëm mjedisor kishte shkaktuar rrjedhja e gazit dhe zjarri i shkaktuar nga ajo.
Miyoko Sakashita, drejtori i programit të oqeaneve për Qendrën për Diversitetin Biologjik, shkroi se “pamjet e frikshme të Gjirit të Meksikës po i tregojnë botës se shpimet në det të hapur janë të pista dhe të rrezikshme”.
Sipas tij, këto aksidente të tmerrshme do të vazhdojnë të dëmtojnë Gjirin nëse shpimet nuk marrin fund një herë e përgjithmonë.





