Më 29 tetor, Partia Demokratike ka thirrur protestën e dytë si vijim i aksionit të mosbindjes civile që ka nisur.

Pas marshimit në qendër të Tiranës më 7 tetor, këtë herë opozitarët janë thirrur nga lidershipi i opozitës në një protestë si revoltë për arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta.  

Sa i përket skenarit, ai pritet të jetë i ngjashëm me atë të organizimit të fundit.

Kështu, mësohet se protesta do të shtrihet në të paktën 5 qarqe të vendit.

Rreth-rrotullimi në Elbasan që lidh rrugët për në juglindje të vendit, kryqëzimi i rrugëve në Rrogozhinë, rreth-rrotullimi që lidh rrugën e kombit me akset e veriut, janë disa nga pikat që opozita do të tentojë që t’i bllokojë gjatë protestës së të martës.

Por jo vetëm në rrethe, protestë do të ketë edhe në hyrje Tiranës, në një tentativë për të përçuar aksionin e opozitës jo vetëm brenda unazës së vogël të kryeqytetit, por në pjesën dërrmuese të vendit.

Protesta pritet që të nisë në orët e pasdites, dhe në varësi të evoluimit të saj do të përfundojë në orët e para të mbrëmjes. Gjithsesi do të jetë fillimi i javës së ardhshme, ajo që do të përcaktojë taktikën dhe mënyrat se si do të protestojë këtë herë opozita.