Katër skuadrat sh qiptare që marrin pjesë në Kupat e Europës këtë sezon, Teuta në Champions, si dhe Vllaznia, Partizani dhe Laçi në Konferencë Ligë, po u japin dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjet e para të turit të parë kualifikues.

Duke analizuar hyrje-daljet që kanë pësuar skuadrat gjatë muajt qershor në merkaton e verës, duket qartë që Teuta është skuadra shqiptare më solide në pjesëmarrjen në Europë. Soliditeti i durrsakëve ka të bëjë me ruajtjen e formacionit bazë që siguroi edhe titullin kampion për “djemtë e detit”.

Drejtuesit e Teutës i kanë mbajtur të gjithë titullarët që mbyllën kampionatin, kështu që ruajtja e fizionomisë së grupit shikohet si një detaj favorizues për ekipin e trajnerit Edi Martini. Në vitet e fundit jemi mësuar që skuadrat kampione, direkt pas ngritjes së trofeut, nisin çmontimin e grupit, gjë e cila nuk ka ndodhur aktualisht te Teuta.

Aktualisht, nga skuadra durrsake janë larguar vetëm tre futbollistë, të cilët nuk kanë qenë pjesë e formacionit bazë në pjesën e dytë të sezonit. Iran Zhunior Gonçalves dhe Denis Pjeshka kanë qenë gjatë gjithë kohës rezerva, ndërsa Aleksandër Kuro, humbi vendin e titullarit me ardhjen e mbrojtësit brazilian, Xhekson Ferreira.

Ndërsa te tria skuadrat e tjera shqiptare që marrin pjesë në Konferencë Ligë, largimet e titullarëve janë të shumtë, gjë e cila ka bërë që stafet të riformatojnë formacionin apo të jenë akoma në kërkim të titullarëve për në Europë. Kjo strategji e drejtuesve durrsakë duhet vlerësuar, aq më shumë që kanë ndërhyrë në merkato duke e përforcuar grupin, kryesisht në mbrojtje dhe sulm.

Për të bërë një prezantim sa më dinjitoz në Champions ndaj Sherif Tiraspolit, ku kalimi i një turi mund të jetë “bingo” financiare për durrsakët, drejtuesit kanë huazuar nga Tirana sulmuesin e Kombëtares, Taulant Seferi, i cili shikohet si pika referuese në majë të sulmit. Por, kanë afruar edhe sulmuesin maqedonas, Pepi Gjorgiev, i cili së bashku me Plakun, Krasniqin, Grudën dhe Kapllanin, bënë që Teuta të jetë “e blinduar” në fazën ofensive.

Në miqësoren e fundit ndaj Strugës, Seferi ishte risia e vetme nga formacioni i Teutës kampione, formacion i cili mund të jetë në fushë edhe ndaj Sherifit në ndeshjen e parë të Champions-it më 7 korrik. Pra, Teuta shikohet si vazhdimësi në Europë, jo eksperiment.