Del sot para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë Altjon Sulejmanaj, 42-vjeçari i cili është arrestuar dy ditë më parë pasi tentoi të vriste prindërit e tij të moshuar duke i vënë zjarrin banesës ku ata jetonin. Ai akuzohet se i ka vënë qëllimisht zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit dhe më pas është larguar.
Sipas burimeve policore në dëshminë e tij para uniformave blu të Fierit, 42- vjeçari, nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese, përkundrazi ka qenë tepër i qetë. Shkaku i zjarrvënies ka qenë sepse i ka kërkuar babait 10 mijë lekë të vjetra, por ai ka refuzuar t’ia japë.
Mbi të rëndojnë tre vepra penale: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare“, mbetur në tentativë, “Dhuna në familje”, dhe “ Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ndërkohë, më herët u bë e ditur se autori vuan nga probleme të shëndetit mendor ndaj nuk dihet nëse ky është një detaj që do të merret në konsideratë nga togat e zeza.