Gjykata e Korçës ka lënë në burg 4 të arrestuarit e operacionit “Voskopi”, të cilët kishin kthyer një magazinë në laborator për përpunimin e drogës.

Masa “arrest në burg” u caktua për Gentian Gurin, i cili akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”; Andon Demirshan, i akuzuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike”; Anesti Burdan dhe Redion Hamitajn të cilët akuzohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në magazinë janë sekuestruar 195 kg lëndë narkotike cannabis sativa (bimë në proces tharjeje) dhe pajisje që shërbenin për tharjen dhe përgatitjen e lëndës narkotike për shitje. Po ashtu janë sekuestruar edhe 1 armë zjarri pistoletë, një sasi kokaine, 1 leje drejtimi false, 7 celularë, 1 automjet, 1 pasaportë, 3 karta SIM dhe një shumë eurosh. Ndërkohë vijon të jetë në kërkim edhe shtetasi Sadriano Duçi që sipas policisë dyshohet të jetë “koka” e grupit.