Tetori do të mbyllet me temperatura rreth 7 gradë më shumë se normalja e këtij muaji. Sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se jo vetëm tetori, por edhe fillimi i nëntorit do të jetë me temperatura krahasimisht si ato të qershorit. Përsa i përket kushteve atmosferike, java do të mbetet nën ndikimin e intervaleve të gjata me diell.
Lajda Porja: Një tjetër javë me diell, edhe ditët dhe java e fundit e tetorit nuk zhgënjen. Parashikohet që masat ajrore të qëndrueshme të jenë prezente në territorin shqiptar. Parashikohet që kjo javë të jetë kryesisht me diell. Ndërkohë, mesi i javës, dita e mërkurë dhe dita e enjte do të shtojë vranësirat në territor duke bërë që në ekstremin verior të ketë edhe reshje të papërfillshme, ose edhe momente me pika shiu. Pjesa tjetër e territorit mbetet me mot të kthjellët, me vranësira të lehta dhe kalimtare.
Temperaturat e ajrit sot në mëngjes shënojnë 7 gradë, temperatura më e ulët në qytetin e Pukës. Sot presim një maksimum prej 27 gradësh, e cila do të jetë më në brendësi të territorit, kryesisht në Berat, Elbasan, po ashtu Tirana, Lushnja dhe Fieri. Dita e martë dhe dita e mërkurë do të sjellin një rritje të lehtë të tyre duke bërë që të mërkurën, termometri të ngjitet në 29 gradë. Tempratura anormale përsa i përket tetorit, temperatura deri në 7 gradë më të larta nga se duhet të jenë.
Parashikohet që dita e enjte dhe e premte të sjellë një rënie të tyre, megjithatë temperaturat mbeten shumë të larta duke bërë që nëntori, jo vetëm që do të jetë me diell, por me temperatura rreth vlerës 27-28 gradë, të cilat janë vërtetë shumë të larta. Këtë javë, mëngjesi me xhaketë patjetër dhe mesdita, sikur me mëngë të shkurtra të dalësh nga ora 10 deri në 13:30-14:00 është temperaturë qershori.