Të martën në orën 17:00 opozita do të zhvillojë protestën e radhës kundër qeverisë “Rama”  duke bllokuar disa akse rrugore në Tiranë dhe në disa qytete të tjera.

Në një konferencë për media, kryetari i PD Sali Berisha, u kërkon qytetarëve që të bëhen pjesë e mosbindjes civile që pritet të zgjasë për rreth tre orë.

Kryedemokrati renditi dhe arsye përse qytetarët duhet të protestojnë nesër kundër qeverisë.

“Këtë akt, këtë vendim, mosbindje civile PD, demokratët e ndërmarrin si mënyrën e mbështetjes të interesave të dinjitetit dhe lirisë të çdo qytetari shqiptar, që beson tek vota e lirë, që ligji dhe Kushtetuta duhet të funksionojnë, që Shqipëria pa opozitë është një katastrofë, që Edi Rama me organizatën e tij kriminale në qeveri, është vërtetuar si armiku më i egër i qenies dhe identitetit shqiptar. Ato 3 orë kundër regjimit i ftoj shqiptarët të bashkohen në atë protestës, sepse po luftojmë për interesat jetike të shqiptarëve”,-tha Berisha.