Zëvendësministrja për Ekonominë, Olta Manjani ndau në rrjete sociale përgjigjet e pyetjeve më të shpeshta që i bëjnë qytetarët mbi skemën aktuale të sigurimeve shoqërore.
Manjani shprehu angazhimin e qeverisë për përfshirjen e pensionistëve në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit.
Pyetja më e shpeshtë tha Manjani, është në rastin kur dy pensionistë me të njëjtat vite pune nuk marrin pension të njëjtin.
Sipas saj, faktori kryesor që ndikon në këtë rast është faktori kontributiv.
“Gjithmonë do të marrim pension mbi bazën e kontributeve që kemi derdhur ndër vite. Për të përfituar një pension minimal duhen 15 vite punë dhe për të përfituar pension të plotë kërkohen 38 vite punë. Pra kuptohet që kuota e pensioneve është e ndryshme sa i takon viteve të punës”, tha Manjani.
Megjithatë theksoi ajo, ka dhe një faktor tjetër që lidhet me masën e këtyre kontributeve .
“Kontributet mund të paguhen ose mbi bazën e një pagë minimale ose mbi bazën e një pagë maksimale.
Pra nëse një individ ka punuar 15 vite punë dhe këto Kontribute i ka derdhur mbi bazën e një page minimale dhe një individ tjetër këto kontribute i ka derdhur mbi bazën e një page maksimale, kemi të bëjmë me rastet kur i pari do të marrë një pension minimal dhe tjetri pension maksimal”, shpjegoi zv.ministrja.
Ajo theksoi se, është shumë e rëndësishme që pagesat e kontributeve të bëhen mbi bazën e pagave reale, pasi pensionet janë të lidhura drejtpërdrejtë me kontributet e derdhura.
Një pyetje tjetër vuri në dukje Manjani, është se çfarë do të bëj qeveria për rritjen e pensioneve?
Manjani tha se, qeveria ka bërë një analizë të situatës: Momenti i parë është adresimi i pensioneve të vogla dhe hendeku që ekziston mes pensioneve të ulëta dhe të larta.
Nëpërmjet rritjes së pensioneve duam t’u sigurojmë të gjithë qytetarëve shqiptarë të kenë një pension të denjë e të qëndrueshëm.
Për këtë, shpjegoi ajo, kemi propozuar një grup masash afatshkurtra që parashikon se instrumenti kryesor afatshkurtër është nëpërmjet dhënies së bonuseve.
Në grupin e dytë të masave ne po shikojmë mundësinë për të rishikuar në tërësi të gjithë skemën e pensioneve dhe për të kuptuar që në terma afatgjatë mund të ndryshojmë diçka me atë se si reflektohen kontributet me masën e pensionit, sa duhet të jetë mosha mesatare e daljes në pension etj.
“Është e rëndësishme që skema e pensioneve, e cila është një skemë solidariteti me mbulim universal, që do të thotë se çdo njeri në Shqipëri kur mbush 70 vjeç dhe nëse nuk ka punuar asnjëherë në jetën e tij, apo nuk ka derdhur kontribut, ne jemi kujdesur që të përfitojnë një pension. Pasi të rregullojmë parimin kontributiv grupi i dytë i reformave është si do të rishikohet formula e llogaritjes e skemës së pensioneve në mënyrë që të reflektohen kontributet e dhëna në vlerë, por të merret parasysh dhe rritja e pensionit në vijueshmëri për të siguruar një jetë të denjë”, deklaroi Manjani.