Orgel Fusha, 37 vjeç, ka shkëputur kontaktet me familjen e tij që nga data 20 tetor, kur dërgoi një mesazh prekës të ëmës, duke i kërkuar që të kujdeset për fëmijët.
“Hallall ma bëj gjirin, fëmijët bab shikoji. Bëhu e fortë.”
Mesazhi i tij ngriti dyshime të forta mbi fatin e tij, sidomos pasi ai e ndiente veten në rrezik.
Motra e tij, Marsela, rrëfen per Shqiperia Live ne Top Channel se Orgel ishte shumë i shqetësuar dhe i mbyllur, duke e përjetuar bisedën e fundit me emocione të forta.
“I është dërguar mamit tim në datën 20 në darkë, rreth orën 20:00. Në atë orë, kam folur edhe unë me të dhe më ka thënë ‘jam në rrezik’. I thashë ik nga ai vend, e pyeta ku ndodhesh. Nuk më ka kthyer asnjë përgjigje. I kam treguar fotot e fëmijëve, ai qau dhe më mbylli telefonin. Kjo ka qenë biseda e fundit.”
Në bisedën e fundit, Orgel i tha motrës se ishte në rrezik dhe, pavarësisht se ajo e këshilloi të largohej nga vendi ku ndodhej, ai nuk kishte mundësi financiare dhe nuk dinte se ku të shkonte. Ai kishte shkuar në Spanjë me shokët e tij, të cilët motra e tij nuk i njihte, dhe nuk kishte asnjë kontakt me ta që mund ta ndihmonte. Frika dhe pasiguria dukeshin të qarta në fjalët e tij.
“Me shokët iku, unë as nuk i njoh. Vetëm na thoshte që janë në Spanjë. Edhe kur i thashë ik nga ai vend ku je se je në rrezik, më ka thënë ‘nuk kam lekë, nuk di rrugë ku të shkoj’.”
Familja e Orgelit është në pritje të lajmeve dhe shpreson që ai të jetë i gjallë. Pas një periudhe të gjatë pa informacion, ata kërkojnë që dikush të lidhet me ta për të sqaruar situatën e vëllait.
“Asnjë! Ne një lajm presim, të na thotë që është gjallë, ose çfarë ka ndodhur me të. Vetëm të na kontaktojnë ku është.”
Gjithashtu, e motra shtoi se Orgeli është i ndarë dhe është prind i dy fëmijëve.